Lajme

A duhet të digjitalizohet procesi i votimit dhe numërimit?

Kjo kamerë në vendvotim, ishte njëra prej risive në zgjedhjet e fundit.

Edhe gjithë procesi i numërimit, u bë nën monitorimin e këtyre pajisjeve.

Por, përkundër kësaj, procesi zgjedhor në Kosovë, nuk kaloi pa parregullësi.

Së fundi, u evidentuan manipulime të votave të kandidatëve për deputetë brenda partive politike.

Madje kjo shtyri KQZ-në, të marrë vendim për rinumërim të plotë të votave për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Por, sipas ekspertëve, krejt këto mund të shmangëshin me digjitalizimin e procesit të votimit dhe numërimit të votave.

“Të futet për herë të parë edhe tek ne votimi përmes internetit, ajo që është diçka e ngjajshme që e bëjnë përmes postës. Pra, që në rend të parë diaspora të ketë mundësi të votojë përmes internetit. Pastaj të bëhet edhe digjitalizimi i procesit, gjegjësisht i kutisë së votimit, ku qytetari mbushë një formularë dhe aty të kishte një makinë ku qytetari në mënyrë elektronike  mbushë shënimet. Dhe rasti i fundit, apo më i thjeshti që fletëvotimi të lexohet në mënyrë automatike. Tani teknologjia ka avancuar shumë, sa që do të mund të lexohej me një inteligjencë artificiale fletëvotimi dhe në mënyrë automatike kandidatëve t’iu numëroheshin këto vota”, ka thënë Rexha.

Një sistem i tillë i votimit e numërimit, sipas Rexhës, ka kosto më të vogël financiare.

“Nga aspekti teknik, një proces i tillë kur të ndërtohej do të mund të ripërdorej edhe në zgjedhjet tjera. Duke pasur paraysh se ne kemi zgjedhje nacionale dhe lokale, një teknologji e tillë do të mund të ripërdorej të paktën dy herë brenda katër viteve. Në rast të ndonjë zgjedhje të parakohshme, gjithsesi se kjo do të zvogëlonte koston e implementimit të kësaj teknologjie”, ka thënë tutje Rexha.

Mirëpo, sipas njohësve të ligjit, për këtë kërkohen ndryshime tek Ligji për Zgjedhje të Përgjithshme.

“Pas konstituimi të institucioneve të reja vlerësoj se është e nevojshme që të bëhet një rishikim i ligjit të ri, për faktin se në dy palë zgjedhje të organizuara me ligj të ri, si ato të shkurtit edhe në të dhjetorit, dolën probleme të theksuara, prandaj e bëjnë të nevojshëm dhe të domosdoshëm rishikimin e Ligjit, pse jo me fokus edhe me digjitalizimin e procesit”, u shpreh Bajraktari.

Ndryshe, Ligji për Zgjedhje të Përgjithshme, për herë të fundit u amandamentua në vitin 2023./teve1

Artikuj të ngjashëm

Back to top button