Supremja kthen në rivendosje çështjen e Ramadan Morinës, paraburgimi mbetet në fuqi
Gjykata Supreme e ka miratuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të pandehurit Ramadan Morina, i dyshuar për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.
Sipas njoftimit, është anuluar aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, dhe aktvendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës.
Si rrjedhojë, çështja i është kthyer gjykatës së shkallës së parë në rivendosje, ndërsa i pandehuri mbetet në paraburgim deri në marrjen e një vendimi të ri.
“Gjykata Supreme, kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që në rivendosje, të respektojë afatet e parapara ligjore dhe të jep sqarime dhe përgjigje të qarta për të gjitha pretendimet thelbësore e pastaj të merr vendim të ligjshëm dhe të drejtë”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Morina dyshohet se më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, Ramadan Morina në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë. Bazuar në aktakuzë, ai akuzohet edhe për pjesëmarrje në shkatërrimin e pronës, dëbim masiv të popullsisë civile dhe plaçkitjen e pasurisë së rreth 1.000 qytetarëve, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.