Ky është ish-ministri i arrestuar nga aksioni i Policisë dhe AKI-së, konfiskohen edhe tri vetura
Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, është arrestuar të enjten në mbrëmje pas një aksioni të Policisë në koordinim me AKI-në dhe Prokurorinë Speciale.
Prokuroria Speciale e Kosovës tha se shtatë të dyshuarit janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprave penale: korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhënie dhe marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit mashtrim, armëmbajtje pa leje.
“Gjatë këtij aksioni policor janë arrestuar : F.I., J.M., N.K., M.D., B.D., Sh.T. dhe G.L. Operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike nën udhëheqjen e Prokurorit Special, pas një periudhe monitorimi dhe hetimi ndër të tjera me masa të veçanta hetimore. Të dyshuarit janë kapur në flagrancë gjatë shkëmbimit të parave.”, njoftoi Prokuroria.
Me vendim të Prokurorisë Speciale shtatë personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar: – rreth 20 mijë (20.000) euro para të gatshme, armë, bizhuteri, dokumente të ndryshme dhe pajisje elektronike.
Për aksionin ka njoftuar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai tha se të arrestuarit dyshohet se kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës.
Përpos ish-ministrit Ismajli në mesin e të arrestuarve janë edhe gjyqtari mbikqyrës i Gjykatës Themelore të Prishtinës – Dega në Graçanicë, zyrtarë nga avokatura N. K., M. D. dhe B. D.; ekspertin e gjykatës Sh. T.; zyrtarin në Departamentin e Shpronësimeve dhe zyrtari i ATK G.L
Sveçla ka thënë se grupi dyshohet se përmes korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare ka iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës me qëllim të rikompensimit të paligjshëm për shpronësimet e kryera gjatë viteve 2011–2015, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike.