Djali i Fadil Fazliut në një vjetorin e arrestimit: Po e mohojnë brutalisht takimin mes babait dhe të birit
Sot bëhet një vit nga arrestimi i Fadil Fazliut nga Gjykata Speciale në Hagë, nën akuzat për pengim të drejtësisë.
Djali i tij, këtë përvjetor e ka shënuar me një reagim emocionues dhe e ka denoncuar publikisht “padrejtësinë e kamufluar”.
Fahriu ka shprehur dhimbjen e tij për faktin se prej një viti nuk i është lejuar të takojë babain, ndonëse vizita nga ana e tij ka qenë e mundur.
“Sot bëhet një vit nga arrestimi nga Gjykata Speciale në Hagë dhe një vit që nuk e kam parë babain tim, Fadil Fazliu. Jo pse unë nuk kam mundur ta vizitoj, por sepse dikush ka vendosur t’i mohojë brutalisht një nga të drejtat më themelore të njeriut – takimin mes një babai dhe birit.
Kjo nuk është drejtësi. Kjo është padrejtësi e kamufluar. Përqafimi ynë nuk paraqet rrezik për askënd, por heshtja ndaj kësaj padrejtësie po.” – ka shkruar ai.
Por përkundër vështirësive, familja thotë se nuk do të dorëzohet.
“Megjithatë, ne nuk i ulim sytë. Babai im mund të jetë fizikisht pas hekurave, por shpirti i tij është i lirë dhe i pathyeshëm. Ashtu siç nuk kanë arritur t’i robërojnë shpirtërat e idealistëve as regjimet më të egra që ka njohur njerëzimi.
Liri dhe drejtësi për çlirimtarët!” .