Balla në Dhomën e Lordëve: Shqiptarët nga Shqipëria dhe Kosova janë aset për Mbretërinë e Bashkuar
Në mjediset e Dhomës e Lordëve, dhoma e ulët e Parlamentit britanik u organizua këtë të enjte një pritje për nder të kontributit të shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova në jetën ekonomike, publike, akademike të Mbretërisë së Bashkuar.
Me ftesë të Lord Mann, Anëtar i pavarur i Dhomës së Lordëve, pritja u organizua nga Dhoma e Tregtisë Britani–Kosovë, Dhoma e Tregtisë Britani–Shqipëri dhe Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, me praninë e lordëve, deputetëve, ambasadorëve dhe dhjetëra bashkatdhetarëve.
Në këtë aktivitet në Londër ishte i ftuar edhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtuesi Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, i cili mbajti një fjalim vlerësimi dhe mirënjohjeje për komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar.
Në hapje të fjalës së tij, Balla citoi babain e ekonomisë moderne, filozofin skocez, Adam Smith: “Pasuria e vërtetë e një kombi nuk qëndron vetëm në territorin e tij, por në energjinë prodhuese të njerëzve që jetojnë dhe punojnë brenda tij.”
Ai tha se kjo ide përmbledh saktë thelbin e këtij takimi në zemër të Parlamentit britanik.
“Jam këtu për të njohur dhe vlerësuar një komunitet, puna, përkushtimi dhe qëndrueshmëria e të cilit mishërojnë vetë idenë se prosperiteti ndërtohet nga njerëzit.”
Ai solli shembuj të pranisë së shqiptarëve në çdo sektor por u ndal tek debati politik britanik që sipas Ballës nuk e nxjerr në pah këtë realitet.
“Kohët e fundit, situata e një numri shumë të vogël familjesh shqiptare është amplifikuar në diskursin politik, duke e shndërruar një shifër statistikore margjinale në një narrativë shumë më të gjerë.
Në një vend me dhjetëra milionë banorë, këto shifra mbeten jashtëzakonisht të kufizuara, megjithatë rrezikojnë të formësojnë perceptime përtej peshës së tyre reale. Kjo ka rëndësi sepse, kur frika fillon të mbizotërojë mbi faktet dhe kur stereotipat zëvendësojnë provat, cilësia dhe drejtësia e debatit publik dëmtohen.”
Në fjalën e tij, Balla solli edhe të dhëna mbi uljen e emigracionit ilegal në Britaninë e madhe, falë bashkëpunimin mes autoriteteve shqiptare dhe britanike:
“Faktet flasin qartë. Gjatë periudhës së fundit, bashkëpunimi i ngushtë dhe efektiv ndërmjet institucioneve shqiptare dhe britanike ka çuar në një ulje drastike të mbërritjeve të parregullta nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar.”
Kryetari i Grupit Parlamentar socialist kujtoi se shqiptarët janë në tërësi, kontribues neto në ekonominë britanike, ndërsa varësia nga përfitimet publike mbetet minimale dhe se shqiptarët nga Shqipëria dhe Kosova nuk janë një problem për t’u menaxhuar, por ata janë një aset që duhet njohur dhe vlerësuar.
“Ajo që duhet dalluar gjithmonë qartë është aktiviteti kriminal nga njëra anë dhe komunitetet që respektojnë ligjin dhe punojnë ndershëm nga ana tjetër.”
Balla nënvizoi se orientimi europian i Shqipërisë është i pandryshueshëm dhe se Mbretëria e Bashkuar, pavarësisht ndryshimeve në marrëdhënien e saj institucionale me BE-në, mbetet një partner kyç në promovimin dhe mbrojtjen e këtyre parimeve të përbashkëta.
“Europa nuk është thjesht çështje gjeografie; ajo është një zgjedhje politike e vetëdijshme… zgjedhja për bashkëpunim mbi përplasjen, sundimin e ligjit mbi forcën, dialogun mbi konfliktin dhe të vërtetën mbi stereotipat.”
Ai mbylli me një mesazh për bashkatdhetarët: “Përgjegjësia jonë e përbashkët është të sigurojmë që diskursi politik të mbetet i ankoruar në realitet, duke iu përgjigjur frikës me fakte, demagogjisë me dinjitet dhe përçarjes me bashkëpunim.
Në përfundim, ju falënderoj për kontributin tuaj, përkushtimin tuaj dhe për urat që ndërtoni çdo ditë mes shoqërive tona.”
Në fund, Balla përcolli urime për festat e nëntorit: “Më lejoni t’ju përcjell urimet e mia me rastin e festave kombëtare të Shqipërisë, momente që na kujtojnë pavarësinë, dinjitetin dhe një identitet të përbashkët që shkon përtej kufijve.”