A mund Qeveria në detyrë të sjellë për miratim buxhetin 2026 në Kuvend, flasin njohësit
Njohës të punës së Kuvendit kanë mendime të ndara nëse qeveria në detyrë mund të propozojë për votim ligjin për buxhet. Profesori universitar Mazllum Baraliu thotë se qeveria në detyrë mund ta bëjë një propozim të tillë, por Eugen Cakolli nga KDI është i prerë se qeveria nuk mund të propozojë ligjin për votim.
Të enjten mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit në të cilën do të diskutohet për formimin e trupave punuese apo komisioneve parlamentare si dhe rreth miratimit të buxheteve komunale për komunat Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok.
Profesori universitar Mazllum Baraliu thotë se Kuvendi i Kosovës e ka në rregulloren e saj themelimin e Komisioneve parlamentare të cilat siç tha ai janë parakusht për fillimin e aktiviteteve të punës legjislative.
Ai beson që pas kësaj mbledhje të Kryesisë, duhet t’i paraprijë një seancë tjetër për miratim të ligjit për buxhetin 2026.
“Është e paraparë me rregullore të punës të Kuvendit që të themelohet komisionet parlamentare themelore të përhershme dhe ato funksionale, prandaj është parakusht kryesor për fillimin e aktiviteteve të punës legjislative dhe të tjera në Kuvend formimi i grupeve parlamentare dhe i Komisioneve Parlamentare, po e bëjnë një punë që është rutinore dhe parësore dhe e rëndësishme e Kuvendit. Mendoj se kjo duhet t’i paraprijë një seance tjetër që duhet të mbahet domosdo, nëse nuk arrijnë të formojnë qeverinë të shkohet në zgjedhje, miratimi i ligjit të buxhetit të Kosovës për 2026”, tha ai.
Profesori universitar, Baraliu theksoi se edhe qeveria në detyrë mund ta propozojë në Kuvend miratimin e ligjit të buxhetit, e pastaj është në dorën e deputetëve nëse do të votojnë apo jo këtë ligj.
“Qeveria në detyrë është qeveri ajo po e propozon në dorën e Kuvendit është ta miratojë ose mos ta miratojë. Ajo mund të mos e miratojë, por nëse e miraton vlefshmëria është e plotë e atij vendimi për miratim e ligjit për buxhetin e vitit 2026… po patjetër, sepse nuk ka të bëjë qeveria e re me komisionet e Kuvendit”, tha ai.
Por, për dallim nga Baraliu, Eugen Cakolli nga KDI thotë se në rrethanat aktuale është e papranueshme që qeveria në detyrë të sjellë në Kuvend ligjin për buxhet. Ai thotë se paraprakisht nevojitet formimi i qeverisë së re, e cila do ta sillte për miratim ligjin në Kuvend.
“Ndonëse në Ligjin për Qeverinë ekziston një dispozitë që e lejon të paktën në aspektin parimor që qeveria në detyrë t’ia propozojë Kuvendit Ligjin për Buxhet, unë besoj që kjo çështje e ndryshme nga situata e tanishme. Në radhë të parë qeveria aktuale, e cila nuk ka asnjë raport me Kuvendin me legjislaturën e tanishme nuk mund të propozojë një ligj për buxhetin për shkak se në radhë të parë kjo supozon se Kuvendi i ka të themeluara të gjitha trupat e tij të brendshme përfshirë Komisionet dhe të tjerat, së dyti kjo supozon që Kuvendi veçse ka zgjedhur një qeveri të re, e në fakt në situatën e tanishme çështja e parë e patejkalueshme që duhet të ketë vendimmarrje pozitive të Kuvendit para se të vendoset diçka tjetër është zgjedhja e qeverisë… Në rrethanat që jemi besoj që është tërësisht e papranueshme dhe as që do të duhej të diskutohej mundësia që në Kuvend të sillej një buxhet, pavarësisht që mund të jetë arsyetim çështja e pagave, stabiliteti fiskal. Kjo mund të keqpërdorej për qëllime elektorale, andaj Kuvendi nuk do të duhej të votonte asnjë projektligj, i cili vjen nga një qeveri e cila është zgjedhur dhe përkon me një legjislaturë paraprake”, tha ai.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të dielën nuk arriti t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të nisur një mandat të ri në pushtet