Dushi me reagim të ashpër: Qeveria po e bllokon Prishtinën në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet
Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Florian Dushi, ka reaguar pasi qeveria në detyrë ka bllokuar fondet e kryeqytetit.
Dushi ka thënë se bllokimi i buxhetit është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
“Shkeljet e vazhdueshme të partisë në pushtet nuk janë më raste të izoluara, por një strategji e qëllimshme për kapjen e procesit zgjedhor. Në kundërshtim të hapur me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme — i cili ndalon rreptësisht përdorimin e zyrave publike, fondeve dhe personelit shtetëror për mbështetje partiake — kjo qeveri po e shndërron shtetin në instrument të fushatës së vet në favor të kandidatëve të saj”, ka shkruar Dushi.
Ai tha më tutje se resurset e shtetit po përdoren për kandidatët e partisë në pushtet.
“Jo vetëm që resurse të shtetit vihen në shërbim të kandidatëve të pushtetit, por ato përdoren edhe për të penguar dhe sabotuar punën e rivalëve, vetëm e vetëm që të krijohet përshtypja e rreme e “suksesit” të njëanshëm apo “dështimit” të tjetrit në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve në vendin tonë. Prishtina, kryeqyteti i Republikës së Kosovës është rasti më tipik i veprimeve bllokuese të qeverisë qendrore përgjatë gjithë këtij viti e edhe aktualisht”, tha ai më tutje.
Dushi theksoi se kjo formë e veprimit, e cenon barazinë e garës zgjedhore.
“Kjo qasje e partisë-shtet është e paprecedentë në përmasat e saj. Një pushtet që ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet në vazhdimësi, tash po synon të uzurpojë edhe zemrën e demokracisë — barazinë e garës zgjedhore duke provuar të ndikojë në përcaktimin e votuesve përmes premtimeve marramendëse e pa asnjë mbështetje”, tha ai.