Lumir Abdixhiku: Afrim Bunjaku është mishërim i shërbimit me nder ndaj shtetit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar heroin Afrim Bunjaku në dyvjetorin e rënies së tij në detyrë, duke e quajtur atë simbol të përkushtimit dhe sakrificës për shtetin e Kosovës.
Abdixhiku theksoi se Bunjaku u vra nga një grup terrorist i sponsorizuar dhe komanduar nga Serbia, ndërsa ishte në krye të detyrës duke mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë e vendit.
Mesazhi i plotë:
Mesazhi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në dy vjetorin e vrasjes së heroit Afrim Bunjaku:
“Sot, shënohen dy vite nga rënia në detyrë e policit të Republikës së Kosovës, heroit, Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën duke mbrojtur sigurinë dhe sovranitetin e vendit tonë.
Afrim Bunjaku, u vra nga pjestarë të një grupi terrorist të sponzorizuar e komanduar nga Serbia, derisa po ushtronte punën, duke dëshmuar se shërbimi ndaj atdheut është mbi çdo gjë personale.
Por Afrim Bunjaku nuk ishte vetëm një polic në krye të detyrës. Ishte një njeri me vlera të mëdha, që zgjodhi të qëndrojë deri në fund për parimet e lirisë, drejtësisë dhe rendit demokratik.
Sakrifica e tij mbetet një kujtesë e gjallë për sfidat me të cilat përballet Kosova, por edhe për vendosmërinë tonë për të mos u dorëzuar përballë dhunës dhe përpjekjeve për destabilizim. Përgjegjësia për këtë akt kriminal i takon jo vetëm autorëve të drejtpërdrejtë, por edhe atyre që e ideuan dhe e nxitën, e të cilët duhet të mbahen përgjegjës para drejtësisë.
Afrim Bunjaku është mishërim i asaj ç’do të thotë t’i shërbesh shtetit me nder. Ai jeton në kujtimin tonë kolektiv si një nga heronjtë më të devotshëm të këtij vendi.
Nderim i përjetshëm për jetën dhe veprën e tij!”