Mozzik e pranon se e kishte orën fallco: Ishte lojë e imja

Reperi Gramoz Aliu, i njohur me nofkën Mozzik, është deklaruar lidhur me rastin e orës ku ndër të tjera ka thënë se akterë të Lëvizjes Vetëvendosje e kanë kthyer në personale me të.
Mozzik në shkrimin e tij ka thënë se ajo çka ka ndodhur me orën e tij ishte skenar i përgatitur nga vetë këngëtari. Sipas tij, iu është thënë se ka pasur presion nga Hekuran Murati dhe Dimal Basha që të ndalej në aeroport.
Postimi i plotë:
Moti kohë disa nga VV-ja e kanë personale me mua. Kjo që ndodhi me orën këto ditë ishte një lojë me skenar nga unë, por e vërteta është se ata e kanë bërë çështje personale me mua prej shumë kohësh – dhe këtë e dini edhe vetë.
Personat që ishin në detyrë atë natë, mos u frikësoni! Dilni dhe tregoni hapur, ashtu siç ma keni thënë mua vetë, që keni pasur presion prej Hekuranit e Dimalit për të më ndalur në aeroport. Dilni dhe kallxoni se kjo ishte sulm politik – sepse nuk ka asgjë për t’u turpëruar.
Që dy vite jam në hall të madh prej padrejtësive që më janë bërë me ATK, dhe krejt kjo punë tash u bë vetëm për ta vërtetuar atë që e kam thënë gjithmonë.
Ama jo, jo – nuk i kam fituar paratë as me drogë, as me hajni . I kam fituar vetëm me talentin tim. Dhe me orë fallco nuk mundet askush të më tatimojë me mijëra e mijëra euro .
Dua të di me gjithë qejfin e zemrës: a është në dijeni Kryeministri për këto inate personale të vendësve të mi ndaj meje?!
Unë i kam vetëm 29 vjet, por gjithmonë kam qenë një hap para jush .
Më leni rahat, se tash ju nxora ashiqare!