Lajme

Sveçla: Armatimi i sotëm u gjet në pronën e Nemanja Radivojeviç – të dyshuarit kryesor për vrasjen e heroit Bunjaku

Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla ka dhënë detaje të reja për armatimin e gjetur sot. Ai tha se ky armatim u kap në pronën e Nemanja Radivojeviçit, të dyshuarit kryesor për vrasjen e heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Sot, në pronën e Nemanja Radivojević – i njohur si “Gandi”, janë gjetur municion, pajisje ushtarake, policore dhe veshje kamuflazhi. Ky person është i dyshuari kryesor për shpërthimin e bombës që mori jetën e Heroit të Kombit, Rreshterit policor Afrim Bunjaku, më 24 shtator 2023 në Banjskë”, tha Sveçla.

I njëjti gjithashtu ritheksoi faktin e mungesës së drejtësisë ndaj të dyshuarve për sulmin në Banjskë, dhe mosvullnetin e Serbisë për bashkëpunim për t’i vendosur para drejtësisë.

Megjithatë, vlerësoi lartë punën e institucioneve të Kosovës.

“Për aq kohë sa Serbia refuzon t’i dorëzojë këta persona, ata mbeten një rrezik i drejtpërdrejtë për Republikën tonë. Pajisjet e gjetura sot janë dëshmi të qarta se ky grup kriminal, i dirigjuar nga Serbia, ka bërë përgatitje të gjata dhe nuk ka hequr dorë kurrë nga përpjekjet për të cenuar rendin juridik e kushtetues të Republikës së Kosovës. Por shteti ynë, institucionet tona të sigurisë, janë më të shtrira e më të forta se kurrë në këtë pjesë të vendit dhe nuk do të tolerojnë as edhe një grimcë të këtyre elementeve kriminale e terroriste të cenojnë Kosovën”, tha Sveçla.

Back to top button