Lajme

Paul Williams vazhdon sot dëshminë në Speciale

Dëshmitari i dytë i Mbrojtjes së Thaçit, Paul Williams, i prezantuar nga Mbrojtja si këshilltar ligjor pro bono për delegacionin e Kosovës në Konferencën e Rambujesë në shkurt dhe mars 1999, ka përfunduar dje dëshminë në Speciale. Ai do të vazhdojë sot dëshminë para trupit gjykues.

Williams mohoi se trupat gjermane kanë gjetur 15 të burgosur përfshirë edhe një person të moshuar i cili është gjetur i lidhur me pranga në një karrige dhe i rrahur e që ishte i vdekur në ish-godinën e MUP-it në Prizren.

Ai ka thënë të mos e ketë parë Hashim Thaçin si udhëheqës në këto bisedime. Williams, i cili të martën ka nisur dëshminë pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, në rastin e gjykimit të drejtuesve të UÇK-së, ka thënë se Thaçi kontrollohej nga jashtë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në periudhën e luftës.

“Krijohej përshtypja që dikush i kishte negociatat nën kontroll apo i kishte pjesërisht nën kontroll, ose nëse ishit në një pozitë as kështu e as ashtu, dmth. diku në mes. Mua nuk më është krijuar përshtypja që ai kishte kontroll të plotë mbi negociatat, por mendoj që ai i përfaqësonte interesat nga jashtë dhe mendoj që këto interesa nga jashtë e kishin ndikimin e tyre mbi autoritetin ose kontrollin mbi sjelljen e tij gjatë negociatave”, ka deklaruar Williams, i cili përveç në Rambuje (1999) ka qenë i angazhuar edhe në negociatat e Vjenës (2006-2007).

Këtë përshtypje Williams ka thënë ta ketë krijuar duke e parë Thaçin se si u përgjigjej telefonatave, por edhe duke ia përcjellë gjuhën e trupit.

”Baza për këtë përfundim janë disa faktorë. Bisedat e shumta përmes thirrjeve telefonike që realizonte Hashim Thaçi me persona nga jashtë kështjellës. Telefoni i tij binte vazhdimisht, që shpesh nënkuptonte që atij i duhej të dilte jashtë ose të shkonte në një cep të dhomës. Delegacioni i Kosovës ishte në katin përdhes, kështu që mund të dilnin lehtësisht në oborrin e kështjellës”, ka treguar dëshmitari.

Williams, që është ftuar si dëshmitar nga mbrojtja, ka theksuar se Thaçi u raportonte komandantëve të zonave. E për angazhimin e tij në Rambuje, Williams tha se ai konsistonte në aktivitetet jashtë kështjellës ku mbaheshin negociatat dhe në takime të rregullta me një shqiptaro-amerikan, për të cilin theksoi se ka pasur marrëdhënie të ngushta me UÇK-në dhe që e identifikoi si Dino Hasanaj. Hasanaj, shqiptaro-amerikan, pas luftës për disa vite ka drejtuar Agjencinë e Privatizimit. Ndërsa mbante këtë detyrë, ai u gjet i vdekur në zyrën e tij private, më 2012, me 13 goditje me thikë në trup. Ndonëse një version i atëhershëm ka konstatuar vetëvrasje, rrethanat e vdekjes së tij edhe 13 vjet pas kanë mbetur nën hijen e dyshimit se ai megjithatë është vrarë.

Këto janë disa nga deklaratat e Williams që ka thënë në Speciale.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button