LajmeNdërkombëtare

Beogradi i mbështet akuzat e Rusisë për ndërhyrjen e Brukselit në protesta në Serbi

Akuza nga Kremlini kundër Bashkimit Evropian (BE), por pa asnjë provë.

Ky është thelbi i mesazhit të shërbimeve sekrete ruse, të cilat i akuzojnë BE-në dhe vendet e saj anëtare se qëndrojnë prapa protestave antiqeveritare në Serbi.

Teksa më 1 nëntor shënohet përvjetori i vdekjes së 16 njerëzve në aksidentin që nxiti protestat masive, Kremlini i përshkruan si “trushpëlarë” mijëra qytetarë që kërkojnë llogaridhënie nga pushteti.

Në një njoftim të Shërbimit të Jashtëm Informativ të Rusisë (SVR) më 15 shtator, thuhet “veprimtaria subversive” e Brukselit është hedhur në veprim.

Studentët që kanë bllokuar fakultetet dhe që udhëheqin protestat, përshkruhen si “të rinj të radikalizuar” që po kalojnë nga protestat paqësore drejt metodave “revolucionare” të përleshjes dhe dhunës.

“Sfondi i liberalizmit evropian synon ta sjellë në pushtet në vendin më të madh të Ballkanit një udhëheqje të bindur dhe besnike ndaj Brukselit”, thuhet në deklaratën e SVR-së.

Ivana Strander, bashkëpunëtore e Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington, vlerëson se Kremlini vazhdon ta mbështesë regjimin e presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili vazhdimisht refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës që nga viti 2022.

“Presidenti rus Vladimir Putin po e shfrytëzon Ballkanin për të anashkaluar sanksionet dhe për të financuar makinerinë e luftës. Po ashtu, Putinit i përshtatet kaosi në Ballkan dhe Vuçiq e ndihmon në këtë drejtim”, tha ajo.

Mohimi nga Brukseli

Brukseli i ka hedhur poshtë akuzat e Kremlinit.

“Akuzat se BE-ja apo vendet anëtare nxisin protestat thjesht nuk qëndrojnë”, tha Komisioni Evropian për televizionin N1.

“Kjo është edhe një përpjekje tjetër e Rusisë për të përhapur dezinformata dhe retorikë armiqësore politike kundër BE-së, vendeve të saj anëtare dhe shteteve kandidate. Na vjen keq që kjo narrativë po amplifikohet fuqishëm në shumë media serbe”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Që nga fillimi i protestave masive kundër Qeverisë në Serbi, Brukseli ka mbajtur një qëndrim të rezervuar.

BE-ja së fundmi ka kërkuar ndalimin e valës së fundit të dhunës, e cila u pasqyrua në përplasjet mes policisë dhe protestuesve, si dhe në përplasjet mes mbështetësve të pushtetit dhe opozitës në disa qytete të Serbisë.

Hulumtuesi nga Qendra për Politika të Sigurisë në Beograd, Vuk Vuksanoviq, vlerëson se është e vështirë të akuzohet BE-ja, kur shumë protestues shprehin “zemërim dhe frustrim ndaj heshtjes që vjen nga Brukseli – përjashtuar deklaratat e komisares Marte Kos dhe debatin në Parlamentin Evropian”.

“Rusia do ta shfrytëzojë çdo rast për ta ‘sulmuar’ BE-në, e cila për ta, në këtë moment, është pjesa më e urryer e Perëndimit, madje më shumë se Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e Trumpit”, tha ai.

Ndërkohë, Ivana Stradner thekson se, ndërsa Kremlini akuzon Brukselin për përpjekje për të rrëzuar pushtetin në Serbi, ekzistojnë dëshmi për ndërhyrje të Rusisë dhe për bashkëpunimin e saj me regjime autoritare anembanë globit.

“Rusia ka ndihmuar regjime autoritare si Bjellorusia, Venezuela, apo satelitët e saj në Gjeorgji”, tha ajo.

Rusia si “partnere” e Vuçiqit

Në reagimin e parë zyrtar të Beogradit, Aleksandar Vuçiq i quajti shërbimet sekrete ruse “partnerë”.

“Vuçiq në publik mbështetet te Rusia dhe e akuzon Perëndimin për ‘revolucion me ngjyra’, ndërsa pas dyerve të mbyllura do të përpiqet të sigurojë që qeveritë perëndimore të mos ia kthejnë shpinën në mes të krizës politike në Serbi”, vlerëson Vuk Vuksanoviq.

Presidenti i Serbisë, që nga fillimi i protestave, ka përsëritur narrativen ruse për një të ashtuquajtur “revolucion me ngjyra”.

Me këtë term, zyrtarët rusë i kanë përshkruar kryengritjet në ish-republikat sovjetike kundër regjimeve autoritare, duke akuzuar Perëndimin për ndërhyrje.

Paralelisht, Beogradi po forcon marrëdhëniet me Moskën, e cila përballet me izolimin nga Perëndimi.

Vuçiq ka paralajmëruar se shërbimet e sigurisë të Serbisë do të kenë “kontakte shtesë” me shërbimet sekrete ruse pas deklaratës së tyre.

“Kjo është një provë serioze për Evropën. Nëse Evropa nuk është në gjendje ta disiplinojë një lider si Vuçiqi, si do ta disiplinojë Putinin?”, pyet Ivana Stradner.

Si një “përpjekje përfundimtare për revolucion me ngjyra”, pa ofruar prova, shërbimi rus ka përmendur datën 1 nëntor – përvjetorin e aksidentit që ndezi protestat.

Vuçiq deklaron se autoritetet serbe “janë shumë më të përgatitura” dhe se “gjërat janë ndryshe” krahasuar me fillimin e demonstratave.

Për dallim nga mosreagimi fillestar i policisë në rrugë, muajt e fundit është vënë re përdorimi i forcës.

Protestuesit e akuzojnë policinë për dhunë dhe shtypje, ndërsa shteti këmbëngul se po vepron “në përputhje me ligjin”.

“Shtypja nga Vuçiqi në Serbi duket sikur është marrë nga ‘manuali’ i shërbimit rus, veçanërisht pasi Vuçiq synon të kontrollojë tërësisht hapësirën informative dhe të përdorë forcën kundër qytetarëve”, tha Stradner.

Deri në publikimin e këtij artikulli, Qeveria e Serbisë dhe Ministria e Jashtme nuk i janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me pretendimet e shërbimit rus.

Studentët me mesazh për Vuçiqin në rusisht

Nga llogaria zyrtare e studentëve në bllokadë, për momentin nuk ka reagim ndaj akuzave të shërbimeve sekrete ruse.

Por, për Radion Evropa e Lirë kanë folur studentët e Fakultetit të Elektroteknikës në Beograd, të cilët ndodhen në bllokadë.

Siç thonë ata, tashmë janë mësuar me përpjekjet për diskreditimin e lëvizjes studentore.

“Sepse regjimi ka muaj të tërë që përpiqet në çdo mënyrë ta diskreditojë lëvizjen tonë”, shtojnë ata.

Duke hedhur poshtë akuzat ruse, studentët i përshkruajnë ato si një “skenar” të pushtetit.

“Një skenar që ata e luajnë bashkë me të vetmit partnerë ndërkombëtarë të gatshëm të pranojnë lojëra të tilla – e këta janë pikërisht partnerët nga vende po aq diktatoriale”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

“Faktin që ‘informacionet’ e supozuara të shërbimit sekret janë shpërndarë publikisht, e shohim si dëshmi për këtë”, theksojnë studentët.

Ndërkohë, një fakultet i ka dërguar presidentit Vuçiq një mesazh në gjuhën ruse:

“Kërkesat tona janë të qarta: shpall zgjedhje, mos përdor shërbimet e huaja për të ngritur popullaritetin tënd – kjo do t’i kushtojë shtrenjtë Serbisë”, thuhet në reagimin e studentëve të Fakultetit Juridik në Nish, të cilët gjithashtu ndodhen në bllokadë.

Këto dy fakultete ishin mes dhjetëra institucioneve të bllokuara nga studentët në fund të vitit 2024 – me kërkesën kryesore për ndëshkimin e përgjegjësve për vdekjen e 16 personave gjatë shembjes së çatisë së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad.

Kërkesa më e fundit e drejtuar autoriteteve është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Duke mohuar përgjegjësinë për tragjedinë, Vuçiq dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit refuzojnë të shpallin zgjedhje.

Reagime të ashpra nga opozita në Serbi

Akuzat e autoriteteve ruse kanë nxitur reagime të forta nga një pjesë e opozitës proevropiane në Serbi.

Partia Demokratike i cilësoi ato si “fyerje për qytetarët dhe gënjeshtër”.

“Këtu nuk ka asnjë plan të jashtëm, asnjë ‘majdan’ dhe asnjë komplot. Ekziston vetëm vullneti i qytetarëve të Serbisë për t’i dhënë fund korrupsionit, vjedhjes dhe diktaturës”, theksoi DS-ja.

Kryetari i Partisë së Lirisë dhe të Drejtësisë, Dragan Gjilas, vlerësoi se shërbimi rus, “me shpikjen e ‘majdanit serb’, edhe një herë e ka mbështetur me forcë regjimin e Vuçiqit”.

Ai kujtoi se autoritetet ruse kishin lëshuar një deklaratë të ngjashme edhe gjatë protestave antiqeveritare në fund të vitit 2023, të cilat shpërthyen pas akuzave se pushteti, i udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe, kishte manipuluar zgjedhjet.

Akuza ndaj mediave
Shërbimi i jashtëm rus ka përpiluar gjithashtu një listë të mediave të pavarura në Serbi, duke i akuzuar ato për “indoktrinimin e të rinjve serbë”.

Pa ofruar burime, pretendon se ato financohen nga Brukseli.

Pavol Salaj, nga organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij, vlerëson se shërbimi rus po akuzon padrejtësisht mediat e pavarura në Serbi.

“Meqë shërbimi sekret rus po merret me represion transnacional në një vend kandidat për anëtarësim në BE, institucionet dhe shtetet anëtare nuk duhet të qëndrojnë të heshtura”, tha Salaj.

Në mesin e mediave të përmendura janë agjencia FoNet, javori Vreme dhe disa media lokale, si RAM, Južne vesti, Slobodna reč, Boom93, Podrinske, FreeMedia e Novi Pazarit, SOinfo, FAR, Storyteller, si dhe organizata joqeveritare Link.

“Mbulimi i gazetarëve si ‘vegla të ndikimit të huaj’, pa asnjë provë, nuk është vetëm i pabazë, por paraqet edhe kërcënim për sigurinë e tyre dhe për lirinë e ushtrimit të profesionit”, tha për Radion Evropa e Lirë Maja Sever, kryetare e Federatës Evropiane të Gazetarëve.

“Çdo sulm ndaj tyre është njëkohësisht edhe sulm ndaj të drejtës së qytetarëve për t’u informuar saktë dhe paanshëm”, shtoi ajo.

Përveç reagimeve nga Brukseli, edhe përfaqësues të shoqatave të gazetarëve kanë kërkuar përgjigje nga autoritetet serbe, ndërkohë që tabloidet pranë pushtetit në Serbi, pas deklaratës ruse, kanë filluar të targetojnë mediat e pavarura lokale.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button