Lajme

Një muaj paraburgim ndaj shtetasit serb për krime lufte në Zhegër të Gjilanit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur një muaj paraburgim ndaj shtetasit të Serbisë me inicialet D.N. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se i dyshuari ka kryer krime luftë në Zhegër të Gjilanit ndaj familjeve Hyseni dhe Shabani.

Gjykata thekson se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri D.N. në cilësinë e komandantit të nënstacionit policor në Zhegër, nuk kishte ndërmarr asnjë veprim, që të parandalojë apo ndëshkojë kryerësit e krimeve të kryera ndaj popullsisë civile të atij fshati nga forcat serbe dhe paramilitarët serb, të kryera me datë 30.04.1999 nga i pandehuri S.A ku janë vrarë 13 anëtarë të familjes Hyseni dhe Shabani në shtëpinë e familjes Hyseni.

“Edhe pse ishte lajmëruar përmes një letre nga të dëmtuarit D.H. dhe I.H.,  i pandehuri ka qenë i detyruar të ndërmarrë veprime brenda kompetencave të tij, si komandant i atij nënstacioni, i njëjti është larguar nga vendi i ngjarjes pa ndërmarrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për të parandaluar, ndaluar ose për ti paraqitur rastet për hetim apo procedim penal dhe në këtë mënyrë është pajtuar me shkaktimin e pasojës së dëmshme, e këto veprime inkriminuese vërtetohen edhe me deklaratat e të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, nga të cilat dëshmi vërtetohet edhe fakti se i pandehuri D.N. ishte komandant i nënstacionit policor në Zhegër, në kohën e kryerjes së veprës penale”, thuhet në njoftim.

Gjykata vlerësoi se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë dhe komplekse, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.

Poashtu, gjykata konstatojë se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri D.N. nëse gjendet në liri, mund të arratiset duke pasur parasysh faktin se është shtetas i Serbisë, dhe i njëjti mund të jetë i pa arritshëm për fazat tjera të procedurës penale.

Back to top button