Alban Krasniqi vazhdon me dilemat rreth gjykimit në Hagë: Ka pasur apo nuk ka pasur Shtab të Përgjithshëm të UÇK?

Alban Krasniqi, bashkëshorti i Albulena Haxhiut, i cili është edhe anëtar nga radhët e LVV-së në KQZ, ka vazhduar me shkrimet e tij cinike pas përmbylljes së ditës së dytë të dëshmisë së James Rubin, ish-ndihmëssekretarit të Departamentit amerikan të Shtetit në rastin e ish-krerëve të UÇK’së në Hagë.
Krasniqi me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se ka një pyetjet për bashkëluftëtarët dhe OVL-UÇK’në, shkruan Insajderi.
“Një pyetje për bashkëluftëtarët por edhe për OVL të UÇK-së Ka pasur apo nuk ka pasur SHTAB TË PËRGJITHSHËM TË UÇK-së?“, thotë Krasniqi.
Krasniqi u lajmërua edhe dje, duke thënë se bazuar në dëshminë e Rubin, rezulton se kreu i UÇK’së ishte Agim Çeku e jo Hashim Thaçi.
“James Rubin, duke treguar përvojën e tij, dëshmoi që lufta e UÇK-së ishte e drejtë, por shpërfaqi edhe disa të vërteta ndryshe nga ato që i janë servirur publikut për 25 vite: 1. Hashim Thaçi tash po del që nuk paska qenë komandant apo udhëheqës i UÇK-së, por Agim Ceku. Andaj, të ia njohim këtë rol dhe vlerë general Çekut, të cilën ia kanë mohuar në luftë edhe pas luftës. 2. Delegacioni ynë në Rambuje, në krye me Thaçin, paskan qenë të gatshëm të pranojnë një marrëveshje ku nuk përmendet pavarësia, por që fatmirësisht ka pasur presion nga komandantët dhe luftëtarët e UÇK-së në terren për të mos pranuar një zgjidhje që nuk e përmban brenda dokumentit pavarësinë në perspektivë. 3. Është pranuar marrja e përgjegjësisë për çfardo krimi që mund të bëhet pas përfundimit të luftës në emër të saj”, shkroi dje Krasniqi në Facebook.