Cili ishte motivi i vrasjes në Ferizaj? Policia del me detaje të reja: Pas fjalosjes, i dyshuari nxori pistoletën

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmë në fshatin Balaj të Ferizajt, ku një person humbi jetën si pasojë e të shtënave në drejtim të tij. Ngjarja e rëndë, siç bëhet e ditur në konfirmimin e Policisë, ka ndodhur rreth orës 19:42, raporton GazetaDemos.
Policia gjithashtu bëri të ditur se viktima e rastit i takon moshës rreth 40-vjeçare, ndërsa sot kanë dalë me detaje të reja për rastin.
Sipas hetimeve fillestare, vrasja ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes të dyshuarit dhe viktimës, të cilët ishin në lidhje gjaku (kushërinj).
Në ditën kritike, pas një fjalosjeje, i dyshuari kishte nxjerrë pistoletën nga brezi dhe kishte shtënë katër herë mbi viktimën, njofton Policia e Kosovës.
Nga hetuesit dhe krimteknikët është kryer ekzaminimi i vendit të ngjarjes, ndërsa edhe i trupit të viktimës, si dhe janë intervistuar dëshmitarët.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur katër (4) gëzhoja, ndërsa në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit është gjetur arma e zjarrit (pistoletë), me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.
Gjatë bastisjes së shtëpisë së të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar edhe :
– Një pushkë gjahu me 72 fishekë;
– Një pushkë ajrore.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës I.R. (M/K), i lindur në vitin 1987, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Ndërsa, i dyshuari B.R. (M/K), i lindur në vitin 1974, është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore.