Lajme

Vendimi i ambasadës së SHBA-së për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, flasin nga DASH

Nga Departamenti Amerikan i Shtetit kanë folur lidhur me vendimin për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, shkaku i veprimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, duke thënë se shqetësimet e tyre ia kanë shprehur në vazhdimësi atij, përmes të ngarkuarës me punë, Anu Prattipati.

Të premten që shkoi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës morën vendimin për ta pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve për veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë.


Lidhur me këtë vendim të Washingtonit zyrtar, nga Departamenti Amerikan i Shtetit kanë thënë se e Ngarkuara me Punë në Ambasadë, Anu Prattipati, ka zhvilluar takime në vazhdimësi me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe se të njëjtit Qeveria e SHBA-së përmes këtyre takimeve në mënyrë direkte ia ka shprehur shqetësimet amerikane.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ka thënë për Express se SHBA do të jetë gjithmonë një aleat i ngushtë i popullit të Kosovës dhe se janë të përkushtuar plotësisht për këtë partneritet. Megjithatë ky zëdhënës i DASH nka thënë se SHBA kërkon nga partnerët e saj që të punojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar stabilitet dhe siguri.


“Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë një mik i ngushtë i popullit të Kosovës dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj partneritetit tonë. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara i nxisin partnerët tanë të punojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë”, ka thënë ky zëdhënës i DASH.

Sa i përket Qeverisë në detyrë, nga Departamenti Amerikan i Shtetit kanë thënë se dëshirojnë që të lëvizin përpara, megjithatë potencojnë se kanë nevojë për një partner që kupton nevojën për të shmangur veprimet destabilizuese dhe që është i përkushtuar për të avancuar stabilitetin rajonal dhe për të mbrojtur të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Ne duam të ecim përpara me qeverinë në detyrë, por na duhet një partner që e kupton nevojën për të shmangur veprimet destabilizuese dhe është i përkushtuar për të çuar përpara stabilitetin rajonal dhe për të mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, kanë deklaruar nga DASH.

Lidhur me pyetjen nëse do të ketë ndonjë masë tjetër pasuese për qeverinë në detyrë, përfshirë edhe vetë liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nga DASH kanë thënë se do të vazhdojnë të vlerësojnë veprimet e Qeverisë në detyrë dhe se “s’kanë diçka më shumë për të shtuar në këtë moment”.
‘Në përgjithësi, ne nuk paraflasim për sanksionet”, ka thënë ky zëdhënës i DASH.

Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur keqardhje dhe shqetësim të thellë rreth këtij vendimi. Rreth Kurtit s’e ka thënë asnjë fjalë.
Osmani ka thënë se Presidenca do të angazhohet maksimalisht e me përkushtim të lartë që ky dialog të rifillojë sa më shpejt.

E para e vendit ka deklaruar se çështja e aleancës me SHBA-të, është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë, duke shtuar se secili duhet ta marrë me seriozitetin dhe përgjegjësinë maksimale ruajtjen e kësaj aleance të shenjtë.


“Presidentja e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të punojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara në të gjitha fushat e interesit të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, demokratizimin e mëtejshëm të vendit tonë, ndërtimin e një të ardhmeje euroatlantike, si dhe mbrojtjen e vazhdueshme të sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Siguria e Republikës së Kosovës është fuqishëm e lidhur me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj secili duhet ta marrë me seriozitetin dhe përgjegjësinë maksimale ruajtjen e kësaj aleance të shenjtë”, ka shkruar Osmani.

Për vendimin e ShBA’së për pezullim të dialogut njoftoi Ambasada, ku tha se kjo u bë për shkak shqetësimeve për veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar produktivisht me Kosovën në prioritetet e përbashkëta.

Sipas ambasadës, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve.

“Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar pa afat Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve për veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar produktivisht me Kosovën në prioritetet e përbashkëta.

Mbetemi të përkushtuar në avancimin e interesave të përbashkëta të përbashkëta nga Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitetin e ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”, u tha në njoftim.

Dialogu Strategjik është një proces që Departamenti i Shtetit i SHBA-së në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Washington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.

SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik gjatë viteve të fundit me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin, etj.

SHBA-ja përfshihet në dialog strategjik jo vetëm me shtete, por edhe me organizata ose lëvizje të vendeve që ajo nuk i konsideron aleate, si Lëvizja demokratike bjelloruse e udhëhequr nga Sviatlana Tsikhanouskaya.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button