Rubin: Ne e inkurajonim Thaçin ta shihte Rambujenë si mundësi të arritjes së paqes

ames Rubin deklaroi në Hagë se kur kanë shkuar për t’u takuar në Konferencën e Rambujesë, Hashim Thaçin nuk e ka njohur, por që ia kishte kërkuar Madeleine Albright që të njihet dhe të rrinte me atë.
Rubin tha se gjatë takimeve në Rambuje, Thaçi e kishte njohur për shkak se kishte dalë shpesh në televizion, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Albright e vërejti këtë gjë që ai më njohu. Ajo ishte e zonja për marrëdhënie njerëzore dhe më tha që njihu me të, bisedo me të se ne nuk njiheshim”, tha James Rubin, duke shtuar se u përpoq që të rrinte me Thaçin, pinin ndonjë cigare, dilnin jashtë, e të tjera.
James tha se nuk e di se pse u zgjodh Thaçi kryesues i delegacionit të shqiptarëve në Rambuje, por thjesht e dinte se ai është zgjedhur.
Më pas, dëshmitarit iu prezantua një kabllogram i një takimi që Albright e ka bërë me delegacionin e Kosovës më 14 shkurt 1999. Tha se ata nuk i njihnin shqiptarët e Kosovës as ai as Albright, veçanërisht anëtarët e UÇK-së.
Rubin tha se kur kuptoi se udhëheqësi i delegacionit ishte nga UÇK-ja, Albright duhej t’i motivonte për paqe përkundër që Ibrahim Rugova thoshte se duhej luftë paqësore.
“Ne e inkurajonim atë që ta shihte këtë konferencë të paqes si mundësi për të transformuar një grup të vogël njerëzish që kishin arritur në pikën që po përdornin dhunë apo mjete ushtarake për të arritur objektiva. Ne tentonim t’i bindim që të mos bënin një gjë të tillë. Ajo donte që të bënte të kuptonin që paqja fitohet kështu”, tha James Rubin.
James Rubin tha se hera e fundit kur e ka takuar Thaçin beson që ka qenë rreth vitit 2019 kur ai ishte president i Kosovës.
Rubin tha se kanë pasur bashkëpunime me Thaçin lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe janë munduar që të sjellin paqe dhe njohjen e ndërsjellë në mes dy vendeve.