Përparim Rama: 90 autobusë të rinj në Prishtinë, flota e transportit publik urban po rritet e modernizohet

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se kryeqytetit i janë shtuar 90 autobusë të rinj.
Ai ka thënë se kjo do ta fuqizojë e modernizojë edhe më shumë transportin publik urban. Në rrjetin social Facebook, Ramma ka thënë se së shpejti, pritet të shtohen edhe 30 autobusë të tjerë.
“90 Autobusë të Rinj n’Kryeqytet! Flota e Transportit Publik Urban po rritet dhe modernizohet Flota jonë e autobusëve në rrjetin e integruar të transportit publik është rritur për 90 autobusë të rinj, dhe shumë shpejt do të shtohen edhe 30 të tjerë”, ka thënë Rama.
Ai tha se së bashku me partnerët ndërkombëtarë, po punojnë që flota e autobusëve të fuqizohet edhe me autobusë elektrikë.
“Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë – BERZH, IFC, KfW, World Bank – po punojmë çdo ditë që këtë flotë ta rrisim edhe më shumë dhe ta modernizojmë me autobusë elektrikë dhe logjistikë bashkëkohore. Ky transformim nuk është një akt i vetëm – është një proces i vazhdueshëm që synon një Prishtinë më të pastër, më të gjelbër dhe më të qasshme për të gjithë qytetarët”, ka shkruar Rama.