Raporti i GAP ku përmenden disa nga premtimet e mosrealizuara në Deçan, reagon Ramosaj: Do t’i realizojmë

Kryetari aktual i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka reaguar pas publikimit të raportit të GAP-it.
Ramosaj në këtë reagim, tregoi disa nga arsyet se pse premtimet e tij, të cilat u theksuan në raportin e lartëpërmendur nuk u reazlizuan.
Teksa tha se për të njëjtat do të punojë deri në kryerjen e tyre, ai dha edhe arsyet si në vijim:
Ndërtimi i qendrës së skitarisë në Bjeshkët e Belegut – një projekt thelbësor për zhvillimin e turizmit malor, që kërkon buxhet të madh dhe mbështetje nga niveli qendror. Për shkak të kostos së lartë nuk është realizuar ende, por mbetet prioritet i yni dhe ne do të vazhdojmë ta kemi pjesë të programit.
Kalimi i menaxhimit të ujit nga niveli rajonal në kompetencë të komunës – proces i ndërlikuar që kërkon ndryshime ligjore dhe vendim në nivel qendror. Deri tani kjo nuk është bërë e mundur, por do të vazhdojmë të insistojmë që uji të menaxhohet nga komuna.
Ndërtimi i liqenit akumulues – ky është një projekt i domosdoshëm për furnizimin e qëndrueshëm me ujë të pijes dhe për mbështetjen e bujqësisë në Deçan. Për shkak të kostos së lartë dhe procedurave të gjata administrative nuk ka nisur ende, por mbetet një nga prioritetet tona kryesore.
Punësimi i të rinjve të kualifikuar – në konkurset e hapura të komunës kanë aplikuar dhe janë punësuar me qindra të rinj të kualifikuar, megjithatë nuk është vlerësuar si i plotësuar pasi në konkurset e punësimit nuk është theksuar në mënyrë të veçantë përparësia për ta. Për ne, rinia është prioritet dhe ne do të vazhdojmë të krijojmë edhe më shumë hapësira të reja punësimi.
Subvencionimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme – për shkak të mungesës së buxhetit nuk është zbatuar në nivelin e duhur, por kjo mbetet një nga pikat kryesore të programit tonë për zhvillimin ekonomik.
Dalja e Komunës së Deçanit e para në vlerësimin e performancës komunale nga MAPL – progresi çdo vit është i qartë, megjithëse penalizimet nga kontrata kolektive e miratuar nga niveli qendror kanë ndikuar në renditje.