Kurti: Policia e Kosovës nuk i la shans krimit e terrorizmit në veri

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, në 26 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, ka veçuar punën e policisë në veri të vendit.
Kurti tha se gjatë këtij viti, Policia e Kosovës ka dëshmuar është e guximshme dhe e palëkundur në punën e saj, veçanërisht në veri, ku Kurti tha se Policia e Kosovës nuk i la shans krimit.
“Ky përvjetor është dëshmi e rrugës tonë të përbashkët si shtet e shoqëri. Policia e Kosovës ka treguar se është themeli i sigurisë sonë. Gjatë këtij viti Policia e Kosovës ka konfirmuar sërish që është e guximshme dhe e palëkundur në punën e saj, në veri ajo sërish nuk i la shans krimit, terrorizmit dhe strukturave ilegale të sponsorizuara nga Serbia.
“U kthyen ndërtesa publike të uzurpuara, u çmontuan kompani ilegale, u sekuestruan armë e pajisje ushtarake, krejt këto fitore të qytetarëve tanë, të arritura falë policëve tanë që tregojnë qartë se epoka e paralelizmit ka marrë fund. Kosova është një e pandashme dhe e barabartë për të gjithë qytetarët e saj”, tha Kurti.