Hoti: Në 26 vjetorin e themelimit, Policëve u mungon shujta e plotë e veshmbathja cilësore për verë e dimër

Në 26-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se shteti i Kosovës ende nuk ka arritur të ofrojë mbrojtjen e nevojshme për pjesëtarët e këtij institucioni.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se sot policisë i mungojnë kushtet dhe mjetet e punës adekuate, siç janë: shujta e rregullt dhe e plotë, veshmbathje cilësore për verë e dimër, transport adekuat, vetura pune të përshtatshme dhe të mjaftueshme për të gjithë.
Postimi i tij:
Respekt dhe mirënjohje të jashtëzakonshme ndaj institucionit simbol dhe identitet të Republikës së Kosovës – Policisë.
Mirënjohje dhe përulje ndaj të gjithë atyre policëve që ranë në krye të detyrës dhe atyre që u lënduan në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarëve.
Ndjehem keq që pas kaq vitesh shteti i Kosovës ende nuk ka arritur të ofrojë mbrojtjen e nevojshme për pjesëtarët e këtij institucioni, përfshirë këtu sigurimin shëndetësor dhe sigurimin e jetës, pensionin dinjitoz, të parakohshëm dhe të rregullt.
Është e papranueshme edhe fakti se ju mungojnë kushtet dhe mjetet e punës adekuate, siç janë: shujta e rregullt dhe e plotë, veshmbathje cilësore për verë e dimër, transport adekuat, vetura pune të përshtatshme dhe të mjaftueshme për të gjithë.