Raporti tronditës: Paracetamoli gjatë shtatzënisë mund të lidhet me autizmin

Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr, pritet të publikojë një raport që mund të hapë debat të madh në botën mjekësore. Sipas Wall Street Journal, dokumenti që pritet të dalë deri në fund të shtatorit, lidh përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë me rrezikun e autizmit tek fëmijët.
Raporti përmend gjithashtu mungesën e acidit folik në shtatzëni si një faktor tjetër të mundshëm që rrit rrezikun për autizëm. Në të njëjtën kohë, sugjerohet se acidi folinik, i njohur si leucovorina, forma biologjikisht aktive e vitaminës B9, mund të ndihmojë në uljen e simptomave të autizmit.
Paracetamoli, i njohur gjerësisht edhe me emrin tregtar Tylenol, është një nga medikamentet më të përdorura për lehtësimin e dhimbjeve dhe temperaturës, përfshirë edhe nga gratë shtatzëna. Megjithatë, përdorimi i tij ka qenë prej kohësh në qendër të diskutimeve shkencore. Disa studime kanë paralajmëruar për pasoja të mundshme në zhvillimin e fetusit, ndërsa të tjera nuk kanë gjetur lidhje të qarta.
Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve deklaron se përdorimi i paracetamolit në shtatzëni është i sigurt, por gjithmonë rekomandon që gratë shtatzëna të këshillohen me mjekun përpara se ta marrin.
Në SHBA, shifrat tregojnë se në vitin 2022 një në 31 fëmijë tetëvjeçarë u diagnostikua me autizëm, duke e bërë këtë raport edhe më të ndjeshëm për opinionin publik.