Ish deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka reaguar pas publikimit të artikullit kundër UÇK-së nga Dimal Basha, i cili u zgjodh dje kryetar i Kuvendit të Kosovës
Përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kur ai tregonte publikisht se deputetë të LVV-së kanë shkruar e sponsorizuar artikuj kundër UÇK-së, shumëkush nuk i besonte.
Ai e ka quajtur fyerje të rëndë për luftën çlirimtare dhe për gjakun e dëshmorëve që Kuvendi të udhëhiqet nga ai.Madje, ai ka thënë se s’do të votonte kurrë për të.
“Unë, edhe pse mora 18,600 vota, ndihem me fat që nuk jam pjesë e këtij turpi kombëtar. Jo me votën time kurrë nuk do të vendosej në krye të Parlamentit të Kosovës dikush që ka shkruar kundër UÇK-së”, ka shkruar Haxhiu.
Postimi i tij i plotë:
Kur unë ju tregoja publikisht se deputetë të LVV-së kanë shkruar e sponsorizuar artikuj kundër UÇK-së, shumëkush nuk më besonte.Sot, pikërisht ata njerëz janë bërë deputetë me votën e qytetarëve, e madje njëri prej tyre Dimal Basha është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Kjo është fyerja më e rëndë për luftën çlirimtare dhe për gjakun e dëshmorëve. Një institucion që duhet të mbrojë vlerat e shtetit, sot është bërë skenë ku shpërblehen ata që e kanë baltosur UÇK-në.Unë, edhe pse mora 18,600 vota, ndihem me fat që nuk jam pjesë e këtij turpi kombëtar.
Jo me votën time kurrë nuk do të vendosej në krye të Parlamentit të Kosovës dikush që ka shkruar kundër UÇK-së.Kuvendi duhet të konstituohet e të shpërndahet menjëherë po atë ditë, për të ndalur degradimin e shtetit dhe për të rikthyer dinjitetin e institucioneve shtetërore përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike.