Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar t`i propozoi për kryetar të Kuvendit deputetët që kanë akuzuar e fyer rëndë UÇK-në.
Partia e Albin Kurtit sot ka propozuar për kryetar të Kuvendit, deputetin Hekuran Murati.
Ky i fundit, para se t`i hynte politikes, nuk gëzonte aspak respekt për UÇK-në.
Madje, në vitin 2016 dhe 2018, ai kishte shkruar statuse fyese për veteranët e UÇK-së.
Në këto statuse ai shprehte tone përçmuese e tallëse kundrejt njerëzve që luftuar kundër Serbisë në vitin 1998-199. Në postimin e 1 tetorit të vitit 2016, Murati atëbotë theksonte se tre muajt e një ushtrie guerile po kushtojnë më shtrejtë se një ushtri e rregullt.
“Përderisa pagesa për veteranët po don me kalu 100 milionë euro në vit, për vitin 2016 buxheti për FSK-në asht vec 45.1 milionë euro. Për vitet 2017 dhe 2018 shkon tu ra madje, 44.8 dhe 44.6 përkatësisht. Këta tre muj lufte të një ushtrie guerile dojnë me na dalë shumë ma shtrejtë se ni ushtri e rregullt.”, kishte shkruar Murati.
Tutje, Murati shkruante se më lirë do të dilte po të angazhoheshin mercenarë se sa pagesat e veteranëve të UÇK-së.
“Bile edhe mercenarë më pas angazhu na kish dalë ma lirë – 3 muj ka 2 mijë euro bajnë 6 mijë euro për kry – 20 mijë mercenarë të përgatitun ushtarakisht kishin me na kushtue vec 120 milion euro gjithsej. Edhe as falemnderit s’kish pasë nevojë me ju thanë.”, ishte shprehur ai.
Ndërsa në një postim tjetër, Murati tallej me veteranët duke shkruar se Hashim Thaçi nuk do të guxojë të falë tokë Serbisë, veç sa të kthehen veteranët prej deti.
“Veç sa të kthehen veteranët prej deti, se e sheh Hashimi qysh guxon me i falë tokë Serbisë…” , kishte shkruar ai më 6 gush të vitit 2018.
Me tu bërë ministër Murati, këto statuse ishin rikthyer në qendër të vëmendje.
Pas publikimit të këtyre qëndrimeve skandaloze të Muratit për veteranët, ai kishte kërkuar falje për gjuhën e përdorur.
“Shkrimet e para disa viteve kanë qenë nga mllefi me ata që asokohe me fryrjen e listave për përfitime financiare e politike po shtrembëronin historinë e luftës dhe të vërtetën tonë kolektive. Ju siguroj se ato shkrime nuk kanë pasur synim ofendimin ndaj ushtarëve dhe dëshmorëve.”, kishte shkruante Murati.
“E pranoj që gjuha e përdorur atëherë ka qenë e gabuar, prandaj ju kërkoj ndjesë të gjithë luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre.”, kishte shkruar Murati.