Fëmijët që përdorin rregullisht cigare elektronike kanë tri herë më shumë gjasa të bëhen duhanpirës më vonë në jetë, ka pohuar një raport i ri.
Shifrat kanë treguar prej kohësh se përdorimi i cigareve elektronike nga të rinjtë ka shpërthyer, në mes të rënies së përdorimit të cigareve tradicionale, me më shumë se një të tretën e adoleshentëve nga 16 deri në 18 vjeç që përdorin rregullisht cigare elektronike, transmeton klankosova.tv.
Për krahasim, më pak se një në dhjetë përdorte cigare elektronike një dekadë më parë.
Megjithatë, studiuesit britanikë tani besojnë se këto pajisje mund të kenë një ndikim edhe më të keq mbi fëmijët sesa ishte menduar më parë.
Në një nga shqyrtimet më të mëdha globale mbi përdorimin e cigareve elektronike nga të rinjtë deri më tani, ekspertët nga Universiteti i York dhe Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale e Londrës (LSHTM), kanë gjetur se ata që përdorin cigare elektronike janë më të prirur të bëhen duhanpirës më shpesh dhe më intensivisht.
Përdorimi i rregullt i cigareve elektronike mund të rrisë gjithashtu mundësinë e sëmundjeve respiratore dhe abuzimit me substanca, thanë shkencëtarët.
Megjithatë, ekspertë të tjerë kërkuan kujdes në lidhje me gjetjet, duke theksuar se shumë nga studimet e vlerësuara ishin thjesht observacionale dhe nuk mund të provonin se vetëm përdorimi i cigareve elektronike shkaktonte këto probleme shëndetësore.
Në këtë kërkim, shkencëtarët analizuan 56 shqyrtime mbi 384 studime të përdorimit të cigareve elektronike nga të rinjtë.