Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë Përparim Kryeziu ka folur pas mos certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës i ka shpallur të ashtuquajturat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada Veriore” organizata terroriste më 29 qershor 2023.
“Në atë kohë u patëm kritikuar ashpër, por doli se kishim të drejtë. Kosova është shtet i pavarur dhe Republikë demokratike”.
Kryeziu ka rikujtuar se Qeveria e Kosovës nuk ndalon partitë politike, përfshirë as Listën Serbe, por është në dorën e Komisionit Qendror Zgjedhor të mos i certifikojë ato, ndërsa prokurorisë e gjyqësorit iu takon të veprojnë me informacionet dhe evidencën e bollshme që posedojnë nga organet e sigurisë dhe inteligjencës.
“Strukturat paralele dhe ilegale të Serbisë e përdorin Listën Serbe si platformë në Kosovë. Serbët e Kosovës nuk duhet ta kenë dhe nuk mund ta kenë vetëm një parti politike. Ndërkohë që 12 subjekte politike tjera serbe, prej tyre 4 parti politike, 6 iniciativa qytetare dhe 2 kandidatë të pavarur serbë, tashmë janë certifikuar në KQZ për zgjedhjet lokale të tetorit. Është e padrejtë që ato të neglizhohen për hir të Listës Serbe, e cila nuk i përfaqëson interesat e qytetarëve serbë të Kosovës, por të Beogradit zyrtar në Kosovë”, ka theksuar Kryeziu për KP.
Ai ka folur edhe rreth takimit të sotëm të kryeministrit në detyrë Abin Kurti me Të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë Anu Prattipati.
“Nuk është hera e parë që kjo çështje diskutohet me zëvendësambasadoren amerikane në Kosovë, Anu Prattipati. U diskutua edhe sot në këtë takim që është i rregullt dhe javor. Qëndrimi i kryeministrit Kurti për Listën Serbe dihet. Qëndrimi i tij dhe i subjektit që ai drejton, pra Lëvizjes Vetëvendosje nuk është qëndrim i ri. Më 23 dhjetor 2024, dy përfaqësuesit e LVV-së në KQZ kanë votuar kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025. Prej atëherë, Lista Serbe nuk është bërë më e mirë, përkundrazi”, ka thënë Kryeziu.
“Ka informacione, të dhëna, fakte dhe argumente të shumta që dëshmojnë qartë se Lista Serbe nuk është aspak parti e zakonshme apo normale. Kryetari i saj de fakto vazhdon të jetë Millan Radoiçiq, e për të dhe 44 paramilitarë të tjerë serbë, përveçse fakte të pamohueshme, tashmë ka aktakuzë për sulmin terrorist dhe paramilitar në Banjskë më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri policor, heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku.”
KQZ sot me dy vota pro, dy kundër dhe shtatë abstenime, ka refuzuar të certifikojë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.