Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, nuk ia lejojnë ish-Presidentit Hashim Thaçit, që ta apelojë vendimin për ndalimin e 11 personave që ta vizitojnë atë në objektin e paraburgimit në Hagë.
Kjo u bë e ditur nga zëdhënësja e DhSK-së, Angela Griep, e cila tha se në vendimin e saj, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marijorie Masselot kishte thënë se kishte vlerësuar qartë nivelin e rrezikut që paraqiste secili prej vizitorëve dhe ndalimi i vizitave të tyre ishte i domosdoshëm, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Më 18 gusht, gjykatësja e procedurës paraprake, rrëzoi kërkesën e z. Thaçi për apelimin e vendimit të saj. Gjatë trajtimit të pikave të ngritura në kërkesën e mbrojtjes, gjykatësja bëri të qartë se kishte vlerësuar nivelin e rrezikut që paraqiste secili prej vizitorëve ashtu edhe nëse ndalimi i vizitave të këtyre personave ishte i domosdoshëm dhe proporcional, për të zvogëluar rrezikun e zbulimit të paligjshëm të informacionit konfidencial”, tha ajo.
Griep tha se si rrjedhojë, Masselot arriti në përfundimin se pikat e ngritura nga Thaçi nuk ishin të apelueshme dhe se mbrojtja thjesht shprehte mospajtim me vendimin e saj.
Zëdhënësja e DhSK-së, gjithashtu tregoi se më 11 gusht 2025, u miratua leja që Mustafa ta apelojë një vendim të 16 korrikut, në të cilin e kishte urdhëruar atë që të paguante një kamatë prej 8% mbi shumën ende të papaguar të zhdëmtimeve.
Griep tregoi edhe për kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për informacione shtesë për një ndihmësprokuror, i cili më herët kishte qenë punonjës i Qendrës së Paraburgimit.
Sipas Griep, kërkesa e tyre ishte refuzuar për shkak se trupi gjykues kishte konstatuar se Prokuroria dhe administratorja i kishin dhënë mbrojtjes informacione të mjaftueshme lidhur me punësimin e atij personi dhe hapat që janë ndërmarrë për parandalimin e konfliktit të interesit.
Paraburgimi ndaj Thaçit në rastin për krime lufte, sipas Griep, është arsyetuar me rrezikun që ai të pengojë procedurat dhe të kryejë krime të tjera. Veç kësaj, në arsyetim, trupi gjykues ka potencuar dyshimet se Thaçi iu ka dhënë vizitorëve informacione konfidenciale dhe lirimi i tij nuk do të kontribuonte në mbrojtjen e efektshme të dëshmitarëve.
Griep tregoi edhe vendimin e Apelit ndaj ankesës së Krasniqit, Selimit dhe Veselit kundër vendimit të Themelores, e cila refuzoi kërkesën për lirim të përkohshëm.
Duke folur për këtë rast, Griep tregoi se më 15 shtator 2025, mbrojtja do të fillojë zyrtarisht me paraqitjen e provave të veta.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.