Nicolas Guillou është sanksionuar nga Shtetet e Barshkuara të Amerikës të mërkurën. Ai ishte gjyqtar i procedurës paraprake në Gjykatën Speciale dhe disa herë iu desh të përballej me ankesat e avokatëve të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po gjykohen në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Francezi rrëzoi pothuajse çdo kërkesë të mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ndërsa mbahet në mend një përplasje e këtij gjyqtari me David Hooper, avokatin e ish-presidentit të Kosovës.
Pak ditë pasi Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi u dërguan në paraburgimin e Speciales në Hagë në fillim të nëntorit të vitit 2020, Guillou kishte pasur një ballafaqim me avokatin Hooper, i cili kërkonte të dinte se pse në Gjykatën Speciale, e cila konsiderohet e Kosovës, nuk kishte simbole të shtetit.
“Jo vetëm që është njollë për Kosovën dhe kosovarët… Gjykatë e Kosovës, por nuk ka asgjë nga Kosova. Nuk ka asnjë emblemë të Kosovës. Ndoshta mund t’i kushtohet vëmendja kësaj. Nëse është Gjykatë e Kosovës, mund ta kishim këtu shqiponjen e zezë me të kuqe”, pati thënë avokati britanik.
Gjykatësi Guillou i replikonte me tallje.
“Mund të kishit veshur rroba të kuqe”, i pati thënë ai duke qeshur.
SHBA-ja vendosi të mërkurën sanksione ndaj Guillou, një gjyqtari tjetër dhe dy prokurorëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP).
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio e quajti GJNP-në “kërcënim për sigurinë kombëtare që ka shërbyer si një instrument i luftës ligjore kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit”.
Departamenti amerikan i Shtetit bëri të ditur se Guillou u sanksionua për vendimin që e autorizoi lëshimin e fletarrestimeve të GJNP-së ndaj kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant, lidhur me luftën e Izraelit në Gazë.
“Këta individë janë persona të huaj që janë angazhuar drejtpërdrejt në përpjekjet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të hetuar, arrestuar, ndaluar ose ndjekur penalisht shtetas të Shteteve të Bashkuara ose të Izraelit, pa pëlqimin e asnjërës prej këtyre kombeve”, tha Sekretari Rubio, i cili paralajmëroi se Administrata Trump do të vazhdojë “të ndërmarrë çdo veprim që e konsiderojmë të nevojshëm për t’i mbrojtur trupat tanë, sovranitetin tonë dhe aleatët tanë nga veprimet e paligjshme dhe të pabaza të GJNP-së”.
Në qershor të këtij viti, Guillou dha dorëheqje nga Gjykata Speciale pasi u zgjodh gjykatës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Kryetarja e Speciales, Ekaterina Trendafilova me atë rast e kishte përgëzuar gjykatësin Guillou dhe i kishte shprehur mirënjohje të thellë për “kontributin e tij të jashtëzakonshëm në përmbushjen e mandatit të DHSK-së me, ndër të tjera, punën e tij si Gjykatës i Procedurës Paraprake dhe Gjykatës i Vetëm”.
Tani gjykatësit francez do t’i duhet të përballet me sanksionet amerikane, të cilat përfshijnë edhe ngrirjen e çdo pasurie që ai dhe tre kolegët e tij mund të kenë në juridiksionet amerikane.