Close Menu
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    Facebook Instagram YouTube
    GazetaDemosGazetaDemos
    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • OP/ED
    • Stili/Jeta
    • Video
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    GazetaDemosGazetaDemos
    Lajme

    Serbia ndjek penalisht dëshmitarin që zbuloi krimet e luftës kundër serbëve në Kroaci

    21/08/2025 12:14
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp

    Nga dëshmitar kryesor në të pandehur. Kjo është rruga e Krunosllav Fehirit, dëshmia e të cilit ishte vendimtare në gjyqin e Branimir Gllavashit në Kroaci, për krime lufte kundër civilëve serbë në vitin 1991.

    Në fillim të gushtit, Prokuroria për Krime Lufte në Beograd ngriti aktakuzë kundër Fehirit – një veprim që njohësit e këtij rasti e konsiderojnë si të pazakontë, po aq sa edhe heshtjen e zyrtarëve të Zagrebit për të.

    Si i mitur, Krunosllav Fehir ishte pjesëtar i Batalionit të Osijekut të Branimirit – një formacion që ishte në varësi të drejtpërdrejtë të Gllavashit, njërit prej themeluesve të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) dhe, në atë kohë, njeriut de facto më të fuqishëm në zonën e Osijekut, në Kroacinë lindore.

    Gllavash u dënua me shtatë vjet burg me një vendim të shkallës së parë, ndërsa vendimi përfundimtar duhet të jepet nga Gjykata e Lartë e Kroacisë.

    Në mes të qershorit të këtij viti, policia serbe e arrestoi Fehirin me të hyrë në Serbi dhe që atëherë ai mbahet në paraburgim në Burgun Qendror të Beogradit.

    Sipas avokatit të tij, Bojan Stanojlloviq, Prokuroria e akuzon Fehirin për anëtarësim në një grup që nxiste kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës.

    Bëhet fjalë për nenin 145, paragrafin 2 të Kodit Penal nga koha e RSFJ-së, i cili parashikon dënim me burg prej së paku një viti.

    “Sigurisht, ai u habit kur e arrestuan, sepse nuk e kishte idenë se mund të arrestohej për këtë… sepse që nga viti 1991 e deri më sot, autoritetet në Serbi nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim, as nuk ka pasur ndonjë tregues se po ndodhte diçka”, thotë Stanojlloviq për Radion Evropa e Lirë.

    Gazetari dhe shkrimtari Drago Hedl, i cili ishte i pari që shkroi për krimet e luftës për të cilat ishte përgjegjës Branimir Gllavash, thotë për REL-in se është i befasuar nga vendimi i autoriteteve gjyqësore në Serbi, për të filluar procedurat kundër njeriut që ishte më përgjegjësi për zbulimin e krimeve kundër civilëve serbë në Osijek.

    “Një nga të njohurit e mi, me të cilin fola për rastin, më tha se Serbia duhet t’i japë atij njeriu një dekoratë, sepse ai ishte personi që zbuloi krime shumë të rënda lufte kundër pjesëtarëve të pakicës kombëtare serbe në Kroaci”, thotë Hedl.

    Dëshmitar i krimit
    Në vitin 1991, me këmbënguljen e të atit, 16-vjeçari Krunosllav Fehir u bë anëtar i Korpusit të Gardës Kombëtare (ZNG), i cili ishte paraardhës i Ushtrisë kroate. Formacioni i Batalionit të Osijekut të Branimirit vepronte brenda Korpusit. Ky formacion i përgjigjej drejtpërdrejt Branimir Gllavashit.

    “Kroacia nuk e kishte ushtrinë e vet në ish-Jugosllavi, kështu që pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe në prag të luftës në vitin 1991, u formua ZNG-ja. Ajo përbëhej nga të rinj, rekrutë që më pas morën uniforma dhe armë. Midis tyre ishte edhe Krunosllav Fehir, i cili në atë kohë ishte i mitur”, shpjegon Hedl.

    Në fillim të viteve 2000, Gllavash, së bashku me një grup anëtarësh të ZNG-së, u akuzuan për krime lufte kundër civilëve serbë në vitet 1991 dhe 1992.

    Aktakuza përfshinte dy raste: vrasjen e shtatë civilëve kryesisht serbë në brigjet e Dravës dhe vrasjen e Çedomir Vuçkoviqit dhe Gjorgje Petroviqit, civilë me kombësi serbe, në garazhin e Sekretariatit të Mbrojtjes, të cilin e drejtonte Gllavash.

    Fehir në gjendje të keqe shëndetësore
    Krunosllav Fehir është në gjendje të keqe shëndetësore dhe Ambasada e Republikës së Kroacisë u ka kërkuar autoriteteve gjyqësore serbe që t’i mundësojnë atij t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore në Beograd, tha misioni diplomatik kroat për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas tij, deri më tani, nuk ka asnjë përgjigje në këtë kërkesë.

    Këtë e konfirmon edhe avokati i Fehirit, Stanojlloviq.

    Ai thotë se ka dërguar disa kërkesa urgjente që klienti i tij t’u nënshtrohet ekzaminimeve diagnostikuese.

    “Krunosllav Fehir ka probleme serioze shëndetësore dhe prioriteti ynë aktual është të organizojmë një ekzaminim mjekësor, në mënyrë që të përmbushen parakushtet për gjyq”, thotë Stanojlloviq.

    Sipas fakteve të vërtetuara nga gjykata, Çedomir Vuçkoviq u detyrua të pinte acid sulfurik nga një akumulator nga një prej anëtarëve të batalionit të Osijekut të Branimirit.

    Nën dhimbje të tmerrshme, burri fatkeq arriti të thyente derën e garazhit.

    Fehir, në atë moment, po siguronte hyrjen e garazhit.

    Kur e pa Vuçkoviqin, Fehir, sipas pranimit të tij, e qëlloi dhe e plagosi në bark dhe në krahun e djathtë.

    Hedl thotë se autopsia e kryer të nesërmen, tregoi se Vuçkoviq vdiq nga efektet e helmimit me acid sulfurik.

    Fehir, i cili u bë oficer i policisë pas luftës, foli në detaje rreth krimit për gazetën “Feral Tribune”, me qendër në Split, për të cilën në atë kohë shkruante Hedl.

    Në dëshminë e tij për “Feral” në vitin 2005, Fehir, mes tjerash, tha:

    “Këta dy persona, në fakt, u keqtrajtuan gjatë gjithë kohës. E di se u rrahën edhe me shkop bejzbolli. Më vonë, ndërsa po afrohej fundi i ditës, thanë se do t’i detyronin të pinin acidin që ndodhej në garazh. Nuk mund të besoja se për çfarë po flitej, e më vonë pashë se në të njëjtin garazh ndodheshin disa akumulatorë të hedhur, që ishin të përdorur ose nuk ishin tonët. E di që njëri prej tyre u detyrua të pinte acid. Pas kësaj, rreth orës 9:00-9:15, njëri nga këta dy persona goditi derën nga brenda… u dëgjua edhe një goditje tjetër dhe dera u thye, dhe ai doli jashtë”.

    Fehir tha gjithashtu se Vuçkoviq u qëllua më pas, ndërsa Gjorgje Petkoviq, i cili pa gjithçka dhe qëndroi në garazh, u vra më vonë.

    Dëshmia e tij fillimisht nisi hetimet, e më pas edhe gjyqin kundër Branimir Gllavashit, i cili nuk ka përfunduar as pas dy dekadash.

    Fehirit iu dha statusi i dëshmitarit kryesor, i cili në një nga procedurat e ardhshme iu hoq për arsye procedurale, por dëshmia e tij mbeti e vlefshme.

    “Tani ai është personi kundër të cilit është kthyer sistemi gjyqësor i Serbisë, nën rrethana të paqarta për mua – sidomos duke pasur parasysh se Krunosllav Fehir, që nga përfundimi i luftës e deri në kohën kur është arrestuar, e ka vizituar disa herë Serbinë dhe askush nuk e ka pyetur kurrë për asgjë”, thotë Hedl.

    Me çfarë (nuk) e ngarkon prokuroria Fehirin?
    Stanojlloviq, përfaqësues ligjor i Krunosllav Fehirit, shpjegon se klienti i tij nuk dyshohet për vrasjen e Çedomir Vuçkoviqit.

    “Prokuroria jonë nuk ka asnjë informacion prej atyre lëndëve. Prokuroria merr informacione nga disa tituj gazetash, nga deklaratat e mëparshme të Krunosllav Fehirit në media dhe nga deklaratat e tij para prokurorit publik gjatë fazës së hetimit”, thotë Stanojlloviq.

    Ai thekson se, përpara se t’i jepej statusi i dëshmitarit kryesor, kundër Fehirit është zhvilluar një procedurë penale për vdekjen e Çedomir Vuçkoviqit, por se ajo është ndërprerë, që do të thotë se ai nuk mund të gjykohet përsëri për atë krim.

    Stanojlloviq shton se akuza e prokurorisë se Fehir ishte anëtar i një grupi që nxiste kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës, hidhet poshtë nga fakti se ai ka qenë i mitur në atë kohë.

    “Ai u dërgua atje dhe është në pikëpyetje nëse dinte çfarë po bënte në ato vite. Gjithashtu, konventat e privojnë nga mundësia për t’u akuzuar për krime lufte në atë moshë”, thotë Stanojlloviq.

    Zoran Pusiq, udhëheqës i Lidhjes Antifashiste të Kroacisë dhe aktivist i të drejtave të njeriut për dekada të tëra, thotë për Radion Evropa e Lirë se procedurat kundër Krunosllav Fehirit, janë një padrejtësi e madhe dhe një farsë politike.

    “Fehir vuajti edhe në Kroaci. Për shkak të dëshmisë së tij, ai pati vetëm telashe. Dëshmia e tij mundësoi gjyqin më të vështirë në Kroaci. Ngjarja nuk do të ishte shndërruar kurrë në një proces gjyqësor, nëse nuk do të ishte dëshmia e tij”, thotë Pusiq.

    Reagimet në Kroaci
    Fehir u arrestua më 15 qershor, kur hyri në Serbi. Rrethanat në të cilat u arrestua, Pusiq i përshkruan si tejet të pazakonta.

    “Ai është një polic në pension dhe filloi të merrej me taksi. Një burrë i kërkoi ta çonte me makinë deri në kufi me Serbinë, duke i thënë se dikush do ta priste atje. Në kufi, burri i tha se shoku i tij nuk mund të vinte, kështu që i kërkoi Fehirit ta çonte përtej kufirit. Sapo e çoi përtej kufirit, policia e arrestoi dhe e çoi në Beograd”, thotë Pusiq.

    Menjëherë pas arrestimit, tabloidët e Beogradit – të afërt me regjimin – raportuan se ishte arrestuar një “kriminel monstruoz” dhe “vrasës i serbëve”.

    Nga Zagrebi zyrtar nuk kishte asnjë reagim.

    Ministria e Punëve të Jashtme kroate dhe kryeministri Andrej Pllenkoviq nuk u deklaruan për këtë çështje.

    Madje as shoqatat e veteranëve, të cilat shpesh deklarohen edhe për çështje jashtë kompetencave të tyre.

    “Krijohet përshtypja se shumë politikanë do të preferonin që Fehir të zhdukej në burg, sepse ai e prish imazhin e tyre për pafajësinë e Luftës Atdhetare”, thotë Pusiq.

    Megjithatë, u deklarua vetë Gllavash, i cili, për shkak të dëshmisë së Fehirit pret një vendim të formës së prerë për krime lufte.

    Ai e vuri veten “në dispozicion të sistemit gjyqësor të Republikës së Serbisë”, me garanci për kthim të lirë në Kroaci.

    “E kujtoj Prokurorinë e Republikës së Serbisë se ekspertiza është bërë nga eksperti me famë botërore, dr Gjorgje Allempijeviq, ku duket qartë se K.F. e ka vrarë Çedomir Vuçkoviqin”, tha Gllavash.

    Hedl thotë se Gllavash e angazhoi ekspertin gjyqësor të Beogradit, Gjorgje Allempijeviq, i cili, një çerek shekulli pas krimit në garazhin e Sekretariatit të Mbrojtjes në Osijek, vuri në dyshim raportin e autopsisë se Çedomir Vuçkoviq vdiq nga pirja e acidit sulfurik.

    “Ai pretendon se ekziston mundësia që Çedomir Vuçkoviq të ketë vdekur nga plagët e shkaktuara nga Fehir. Këto janë gjëra që i shkojnë në favor Gllavashit”, thotë Hedl.

    Që kur Fehir foli publikisht për rastin e njohur si “Garazhi”, Gllavash insistoi vazhdimisht se kjo është gënjeshtër dhe se Fehir ishte përgjegjës për vrasjen e Çedomir Vuçkoviqit.

    Gllavash ngriti padi penale kundër Fehirit për vrasjen e Vuçkoviqit, por ajo u rrëzua në tetor të vitit 2021, me arsyetimin se akuzat e Gllavashit ishin të pabazuara.

    “Gllavash e urren Fehirin sepse gjykimi i tij dhe autorëve të tjerë është bërë i mundur për shkak të dëshmisë së tij”, thotë Pusiq.

    Ai shton se gjykimi kundër Fehirit në Beograd nuk duhet të ndikojë në vendimin kundër Gllavashit.

    Gjyq me dekada
    Kjo është hera e dytë që Branimir Gllavash dhe grupi i tij gjykohen në një gjyq, që fillimisht nisi në vitin 2005.

    Në gjyqin e parë, Gllavash u dënua me tetë vjet burg, në vitin 2010.

    Para se t’i shqiptohej dënimi, Gllavash iku në Bosnje dhe Hercegovinë, ku shtetësia e tij e dyfishtë e mbrojti nga ekstradimi në Kroaci, dhe vuajti pak më shumë se pesë vjet burg në Mostar.

    Gjykata Kushtetuese e Kroacisë e rrëzoi atë vendim në vitin 2015, për arsye procedurale.

    Gjyqi i ri filloi për herë të parë në vitin 2017, dhe më pas sërish – pas ndryshimit të aktakuzës, për shkak të vdekjes së dy të pandehurve – në tetor të vitit 2021.

    Në vendimin e shkallës së parë të vitit 2023, përveç Gllavashit, u dënua me katër vjet burg edhe Gordana Getosh Magdiq, ish-komandante e një toge të një njësie speciale për qëllime sabotimi dhe zbulimi në Zonën Operative të Osijekut, ndërsa anëtarët e asaj toge, Dino Kontiq dhe Zdravko Dragiq, u dënuan me nga tre vjet secili.

    Artikuj të ngjashëm

    Zyra e OSBE-së për të Drejtat e Njeriut i bën thirrje Serbisë të mos përdorë forcë të tepruar policore në protesta

    Furrtari nga Prizreni që punon në Beograd komenton arrestimet e shqiptarëve nga Serbia: Po i provokojnë

    Njerëzit e Vuçiqit tërheqin zvarrë të riun dhe e godasin shkop

    Të Fundit

    Nis mbledhja e KQZ-së, diskutohet certifimi i Listës Serbe

    Policia për vetaksidentin me fatalitet në Jabllanicë: Dyshohet se viktima ka qenë nën ndikim të alkoolit

    Raportohet se personi i vdekur në vetaksidentin tragjik në Jabllanicë është një 60-vjeçar

    Aksident tragjik në Jabllanicë të Gjakovës – Vdes një person

    Baticë e papritur në Durrës, përmbyten shezlongët – pushuesit largohen me nxitim

    Gazeta Demos është medium i pavarur informativ, që ka për qëllim informimin e shpejtë dhe të paanshëm, portal që synon të plasojë të dhëna objektive për audiencën e gjerë, duke pasur për kryefjalë lajmin si kategori kryesore. Gazeta Demos ka për mision që të përçojë te lexuesi informatat më të reja të zhvillimeve të fundit brenda dhe jashtë vendit, me etikë profesionale dhe me qasje pasionale. Gazeta Demos funksionon edhe si medium intermedial, e cila në tregun medial po hyn, jo përmes politikave redaksionale ditore, por atyre konstante nacionale, duke e kultivuar edhe shijen e lexuesit. Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

    KONTAKT & MARKETING

    Rruga "Uran Ajeti", 68 Prishtinë
    info@gazetademos.com
    marketing@gazetademos.com
    Tel: +383 48 579 555

    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • Stili/Jeta
    • OP/ED
    • Teknologji
    • Video
    Facebook Instagram YouTube
    Te gjitha te drejtat e rezervuara © GazetaDemos - 2025

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.