Leon Avdullahu, që kaloi te Hoffenheim këtë verë nga Basel, ka mbetur të vendos se kë do ta përfaqësojë, Kosovën apo Zvicrën, me Dardanët që i kanë bërë thirrje sot gjatë ditës.
Zvicra ditëve të fundit është futur fuqishëm në garë për ta bindur mesfushorin e ri t’i bashkohet përfaqësueses së tyre, ku ka luajtur në të gjitha grupmoshat.
Në këtë situatë, tifo-grupi i njohur “Dardanët” ka marrë iniciativën për të bërë një thirrje publike drejtuar lojtarit, duke e ftuar të zgjedhë Kosovën si kombëtare të tij.
“Leon, Kosova është vendi i gjyshit e babait tënd. Ti je shqiponja që gëzon kombin, sepse vetëm këtu nuk je i huaj. Nuk kemi bërë asnjëherë më parë një thirrje të tillë, por për ty po bëjmë përjashtim”.
“Leon do të thotë Luan, e luani është i fortë vetëm aty ku është i përfaqësuar me shpirt. Te Kosova nuk do të jesh asnjëherë i huaj, por gjithmonë i Dardanëve”.
“Mos harro, Leon: këtu vlen, këtu çmohesh, këtu do të të duan pa interes. Hajde me Luanët, aty ku zemra të rreh më fort”, shkruajnë Dardanët.