Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sanksionuar gjyqtarin francez Nicolas Yann Guillou, i cili ishte gjyqtar i procedurës paraprake në rastin e ish-Presidentit Hashim Thaçi, e që aktualisht shërben në Divizionin e Gjykimeve në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICC).
Sipas Departamentit të Shtetit, Guillou ka marrë vendim për të autorizuar lëshimin e urdhrave të arrestit ndërkombëtar ndaj Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant – veprim për të cilin ai tani është shpallur nën sanksione.
Përveç tij, janë sanksionuar edhe Kimberly Prost, Nazhat Shameem Khan dhe Mame Mandiaye Niang.
Sipas vendimit, çdo pasuri e Guillou dhe të tjerëve që ndodhet në SHBA ose kontrollohet nga persona amerikanë është bllokuar.
Ndalohet edhe çdo transaksion financiar apo marrëdhënie tregtare me ta
“Si rezultat i veprimeve të sotme në lidhje me sanksionet, të gjitha pronat dhe interesat në pronë të personave të sanksionuar të përshkruar më sipër, që ndodhen në Shtetet e Bashkuara ose që janë në posedim apo kontroll të personave amerikanë, janë të bllokuara dhe duhet të raportohen në Zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) pranë Departamentit të Thesarit të SHBA”, thuhet në njoftimin e DASH.
Departamenti i Shtetit theksoi se ky vendim është pjesë e përpjekjes për të “imponuar pasoja të prekshme ndaj zyrtarëve të ICC-së që ndërmarrin veprime të paligjshme kundër aleatëve të SHBA-së”.
Guillou e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. I njëjti, dha urdhër edhe për arrestimin e katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.