Arsyeja e vrasjes së 32-vjeçarit Besmir Kumria në Kryqkuq të Divjakës sipas hetimeve paraprake është konflikti mes dy familjeve për një kanal vaditës.
Sipas policisë, familjet e tyre kanë pasur konflikte të vazhdueshme për kanalin vaditës.
32-vjeçari Besmir Kumria u godit me thikë për vdekje nga Xhesion Toromeni, ndërsa ndodhej në shoqërinë e disa miqve në një lokal në fshat.
Sipas informacioneve jo zyrtare autori pasi ka parkuar makinën në rrugë ka hyrë me thikë në dorë në drejtimin e tavolinës ku ishte viktima dhe më pas e ka qëlluar.
Viktima punonte gjatë sezonit veror në Himarë, ndërsa dje ndodhej në fshat.
Policia ka shoqëruar të gjithë të pranishmit në lokal në lidhje me vrasjen e ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në Kryekuq të Divjakës.
Pas vrasjes autori u largua, por u kap pas disa orësh ndjekjeje nga shërbimet operacionale të Fierit.
“Gjatë mesnatës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Kryekuq një shtetas i paidentifikuar kishte hyrë në një lokal dhe kishte goditur me mjet prerës shtetasin B. K., 32 vjeç (i cili ishte në shoqërinë e miqve të tij), shkuan menjëherë në adresën e dhënë, njofton tch.
U ngrit grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i ndjekjes së pandërprerë nga forcat operacionale të DVP Fier, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në Polici i autorit të dyshuar, shtetasit Xhesion Toromeni 25 vjeç, banues në Kryekuq, i cili do të arrestohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes”, thekson policia.