Gazetari dhe ish-diplomati, Ylber Hysa, në ciklin e emisioneve Rubikoni i Jetës ka rrëfyer një episod jo shumë të njohur të pasluftës, që lidhet me marrëveshjen për demilitarizimin e UÇK-së dhe komunikimin e Hashim Thaçit me Presidentin e atëhershëm amerikan, Bill Clinton.
Hysa tha se biseda telefonike e Thaçit me të parin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte zhvilluar në një tendë të improvizuar.
“Në kohën kur është arritur marrëveshje a Kumanovës, kam qenë pjesë e një misioni i cili ka involvuar direkt diplomacinë amerikane dhe britanike dhe shërbimet e tyre të cilët kanë ardhur që ta bëjnë marrëveshjen e njohur me UÇK-në, ajo që praktikisht i hapi rrugë transformimit të mëvonshëm të UÇK-së në armatë, krijimit të një lloj partneriteti. Është shumë interesante mënyra se si ka ndodhur, kjo ishte një marrëveshje e cila e involvoi në një moment daljen nga shatori i zotit Rubin, Hashim Thaçit dhe meje ku praktikisht u bë një mini-negociatë, u tha se zotëri Clinton po e priste në bisedë në telefon Hashim Thaçin nëse ai nënshkruante. Kishte një dallim në kuptimin se si perceptohej në gjuhën shqipe, një formulim legalo-gjuhësor domethënë, dhe kjo ishte shumë interesante”, tha Hysa.
Hysa tha se Thaçi kishte pranuar që të nënshkruante, por me një kusht simbolik; që të nesërmen të bënte një ecje të përbashkët në rrugët e Prishtinës me James Rubin, i cili atëbotë ishte përfaqësues i Departamentit Amerikan të Shtetit.
“Thaçi pranoi me kushtin që të nesërmen Rubin t’i parakalonte rrugët e Prishtinës me zotërinë Thaçi, në një tendë të improvizuar e cila kishte establishmente telefonike dhe aty në prezencën time Thaçi ka folur me Clinton, i ka thënë që e ka bërë këtë gjest në emër të paqes dhe perspektivës për ta ndërtuar një bashkëpunim”, përfundoi Hysa.