Vetëm gjatë javës së fundit në Kosovë janë raportuar mbi 633 raste të zjarreve, ndërsa aktualisht nëntë prej tyre mbeten aktive, sipas të dhënave të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME).
Drejtori i AME-së, Genc Metaj, në një konferencë për media tha se situata nuk është alarmante, por as e mirë. Ai e përshkroi gjendjen si “stabile, por e brishtë”, për shkak të temperaturave të larta, mungesës së reshjeve dhe rasteve të zjarrvënieve të qëllimshme.
Metaj theksoi se, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka një rritje prej 12% të numrit të zjarreve, duke paralajmëruar masa ligjore ndaj personave që i shkaktojnë ato.
Në lidhje me këtë, 23 persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës, konfirmoi Jeton Rexhepi, nënkolonel i Policisë, gjatë së njëjtës konferencë. Ai bëri të ditur se ndaj të dyshuarve janë ndërmarrë veprime penale, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Në disa raste më serioze, si në Mitrovicë dhe Kamenicë, është dashur të ndërhyjë edhe KFOR-i për të ndihmuar në vënien nën kontroll të flakëve.
Metaj dhe Rexhepi apeluan për kujdes të shtuar nga qytetarët, duke theksuar rëndësinë e përgjegjësisë kolektive në parandalimin e zjarreve, që po dëmtojnë mjedisin dhe rrezikojnë jetën dhe pronën e qytetarëve.