Me ndërmjetësimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan dhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev në Shtëpinë e Bardhë nënshkruan një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund konfliktit prej gati katër dekadash dhe të rihapë rrugët kryesore të transportit, duke i lejuar SHBA-së të shfrytëzojë ndikimin në rënie të Rusisë në rajon.
Dy vendet në rajonin e Kaukazit Jugor nënshkruan marrëveshjen që do të krijojë një korridor të madh tranziti që do të quhet “Rruga Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar”.
Kjo rrugë do të lidhë Azerbajxhanin dhe enklavën e tij autonome Nakhçivan, të cilat ndahen nga një copë territori armen me gjerësi 32 kilometra. Kjo kërkesë nga Azerbajxhani kishte penguar bisedimet e paqes në të kaluarën.
Marrëveshja midis dy ish-republikave sovjetike gjithashtu i jep goditje gjeopolitike ish-sundimtarit të tyre perandorak, Rusisë.
Gjatë konfliktit prej gati katër dekadash, Moska luajti rolin e ndërmjetësit për të zgjeruar ndikimin në rajonin strategjik të Kaukazit Jugor, por ndikimi i saj u zbeh shpejt pasi nisi pushtimin në shkallë të plotë i Ukrainës në shkurt të vitit 2022.