Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi të premten, 8 gusht, se ekziston një mirëkuptim i gjerë mes Kievit dhe aleatëve të tij ndërkombëtarë se arritja. Ai shtoi se armëpushimi me Rusinë është tani një objektiv i mundshëm, nëse ushtrohet presion i mjaftueshëm diplomatik dhe politik ndaj Moskës.
Në fjalimin e tij të zakonshëm të mbrëmjes drejtuar kombit, Zelensky theksoi se gjatë ditëve të fundit ka zhvilluar më shumë se një duzinë bisedash telefonike me liderë të vendeve partnere, përfshirë ata nga Bashkimi Evropian, SHBA-ja dhe vendet e G7-ës.
“Ka një mirëkuptim të përbashkët se nëse veprojmë të bashkuar dhe nëse forcojmë presionin mbi Rusinë, atëherë do të mund të arrihet të paktën një armëpushim,” u shpreh ai.
Zelensky gjithashtu bëri të ditur se ekipi i tij është në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në nivelin e këshilltarëve të sigurisë kombëtare.
Ai njoftoi se më vonë gjatë ditës së premte, këshilltarët për sigurinë kombëtare të Ukrainës dhe vendeve aleate do të zhvillojnë një raund të ri bisedimesh, të cilat pritet të përqendrohen në hapat e ardhshëm drejt një zgjidhjeje politike të konfliktit dhe përgatitjet për një samit të mundshëm paqeje.