Gjatë muajit korrik, Kuvendi i Kosovës thirri 14 seanca për ta konstituuar legjislaturën e nëntë.
Pavarësisht 14 seancave, të pakët ishin deputetët që iu përgjigjen në plotni këtyre thirrjeve, e shumica prej tyre munguan në masë të madhe.
Nga 14 seanca, vet kreu i VV-së, Albin Kurti, nuk ishte i pranishëm tri herë për ta votuar Albulena Haxhiun si kryeparlamentare, pasi nga 14 seanca, mori pjesë në 11 prej tyre.
Nga evidencat e marra nga gazetari i Klan Kosovës Flamur Gajtani nga drejtoria për marrëdhënie me publikun në Kuvendin e Kosovës, del se kampion në mungesa është deputeti Zlatan Elek, i cili nga 14 seancat konstituive të korrikut, i huqi të gjitha.
Pas Elekut, në 11 seanca mungoi edhe deputeti i LDK-së, Hysen Çekaj, teksa në katër seanca prej 14 prej tyre mori pjesë Adem Hoxha, pasuar nga deputetja serbe Liljana Stefanoviq që mori pjesë vetëm në pesë seanca/
Si pjesëmarrës në veç pesë seanca ishin edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili dhe ai i AAK-së, Daut Haradinaj.
E ndonëse emri i tij u përfol shumë për pozitën e kryetarit të kuvendit, Fatmir Limaj i Nismës nga 14 seanca, mori pjesë vetëm në gjashtë prej tyre.