Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka shpehur përkrahjen e tij për protestën që do të mbahet nesër, me fillim nga ora 17:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, kundër Gjykatës Speciale, raporton GazetaDemos.
Mustafa teksa përmendi punët themelore të shtetndërtimit të Republikës së Kosovës, kujtoi rolin kyç të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke ua njohur atributet e tyre.
I njëjti kujtoi edhe arsyen kryesore mbi të cilën u krijua Gjykata në Hagë, duke shprehur habinë e tij, se si e njëjta devijoi nga ky qëllim.
“Është detyrë e gjithë neve të mbrojmë vlerat e luftës, dhe të mos lejojmë të rishkruhet historia me dëshmi të instrumenteve të pushtetit serb që ushtroi dhunë, represion dhe gjenocid në Kosovë. Shteti i Kosovës është rezultat i rezistencës politike të drejtuar nga Presidenti Rugova dhe i luftës së UÇK-së. Është vlerë e përbashkët”.
“Ne kemi pasur besim në drejtësinë ndërkombëtare kur Kuvendi i Kosovës votoi themelimin e Dhomave të Specializuara në Hagë me ligje të Kosovës. Jam dëshmitar se këtë besim të plotë e kanë pasur edhe Presidenti Thaçi dhe Kryeparlamentari Veseli, me të cilët kam punuar asokohe. Gjykata u themelua me bindje se do të marrin dënimet e merituara njerëzit për të cilët faktohet se kanë kryer krime. Askujt s’do ti shkonte mendja se në vend të kësaj, bartësit kryesor të luftës për të mbrojtur pragun e shtëpisë, me rol kyç në Rambuje, në bisedat e Vjenës, në shpalljen e pavarësisë; në kundërvënien ndaj depërtimit me dhunë të një milion shqiptarëve nga Kosova, do të cilësoheshin si ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
Në fund, Mustafa shprehu solidarizimin e tij me këtë protesë, ndonëse lajmëroi se një gjë të tillë, si pasojë e shëndeti, s’mundet ta bëjë edhe fizikisht.
“Prandaj veteranët e luftës meritojnë solidarizim dhe përkrahje nga të gjithë për një kauzë të drejtë! Një kërkesë paqësore për drejtësi të mirëfilltë! Me Thaçin, Veselin, Krasniqin, Selimin, kemi qenë kundërshtarë politik. Kemi garuar se kush e bënë Kosovën më mirë. Por, në këtë rast, sikur ta kisha shëndetin, me 7 gusht do të isha edhe unë në Shesh”, tha Mustafa.