Një person është vetdorëzuar në stacionin policor në Gjakovë dhe është intervistuar si i dyshuar për lëndim të lehtë trupor ndaj Hekuran Hodës.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ku shton se viktimës i është ofruar tretman mjekësor.
“Më datë 04.08.2025, rreth orës 19:00, në rrugën “Ymer Pula” në Gjakovë, një person mashkull i moshës madhore ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga disa persona pas një mosmarrëveshjeje. Viktimës i është ofruar trajtimi mjekësor, përderisa rasti, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor””, thotë Elezaj.
“Policia ka ndërmarrë veprime operative dhe hetimore për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar të përfshirë në këtë rast. Sot një person (mashkull, i moshës madhore) është vetë dorëzuar në polici dhe aktualisht është duke u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit nga hetuesit policor në Stacionin Policor në Gjakovë. Hetimet për këtë rast do të vazhdojnë në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, shton ai.