Close Menu
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    Facebook Instagram YouTube
    GazetaDemosGazetaDemos
    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • OP/ED
    • Stili/Jeta
    • Video
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    GazetaDemosGazetaDemos
    Lajme

    Thirrjet raciste ndaj shqiptarëve në Kumanovë: Ende asnjë reagim nga Osmani, Kurti e Gërvalla

    04/08/2025 10:10
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp

    Gjatë ndeshjes parakualifikuese për Kampionatin Botëror në basketboll mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në Kumanovë, një pjesë e tifozëve lëshuan kore dhe thirrje të hapura anti-shqiptare. Ndeshja u shikua nga afër edhe nga shumë figura shtetërore, përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministra të kabinetit të tij.

    Në thirrjet e tifozëve dëgjohet të thuhet: “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”.

    Përgjatë zhvillimit të ndeshjes, u dëgjuan edhe thirrje të tjera skandaloze dhe nxitëse të urrejtjes etnike, si parulla famëkeqe “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, si dhe “Dhoma të gazit për shqiptarët”, që përkujtojnë retorikën më të errët të historisë evropiane.

    Ndaj fyerjeve raciste kanë ardhur reagime të mëdha nga Shqipëria, nga disa parti politike në Maqedoni të Veriut, por jo edhe nga pushteti në Kosovë, ndërsa kanë reaguar disa parti, konkretisht deputetë të PDK-së e AAK-së, shkruan Reporteri.

    Hesht pushteti, reagime veç nga PDK e AAK

    Për dallim nga pushteti në Shqipëri, në Kosovë ende nuk ka pasur asnjë reagim për fyerjet raciste ndaj shqiptarëve që u bën në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë.

    Ende asnjë fjalë nuk e ka thënë as presidentja Vjosa Osmani, as kryeministri në detyrë Albin Kurti, dhe as ministrja në detyrë e Punëve të Jashme, Donika Gërvalla

    Ndërsa pushteti ka zgjedhur heshtjen, megjithatë nga Kosova kanë reaguar deputetë të dy partive, PDK-së e AAK-së.

    Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, përmes një shkrimi në Facebook ka kritikuar heshtjen e Kurtit, kryediplomates në detyrë Donika Gërvalla dhe presidentes Vjosa Osmani.

    Behrami e ka quajtur “koalicion mes trashëgimise së repesionit jugosllav në Shkup dhe Prishtinë” atë të VLEN’it.

    “Hristijan Mickoski është bërë Kryeministër i Maqedonisë së Veriut me bekimin dhe votën që ia solli drejtpërdrejt Albin Kurti përmes koalicionit VLEN. Ky ishte çasti kur një projekt politik i promovuar si “shpresë për shqiptarët” u kthye në instrument të ngritjes së një pushteti të mbushur me nostalgji për represionin e vjetër dhe urrejtje ndaj identitetit shqiptar. Sot, ndërsa në Shkup bërtiten parulla fashiste kundër shqiptarëve, Kurti hesht. Heshtja e tij është më shumë se indiferencë, është bashkëfajësi politike dhe morale. Sot hesht edhe Donika Gërvalla, e cila kinse përfaqëson zërin diplomatik të Kosovës në skenën ndërkombëtare, por është zë i urrejtjes kundër oponentëve politik. Sot hesht edhe Presidentja Vjosa Osmani, vetë viktimë e përbuzjes institucionale të qeverisë së Mickoskit në incidentin e aeroportit. Heshtja e saj është dëshmi e transformimit në figurë të nënshtrimit”, ka shkruar Behrami.

    Ai tutje thotë se ky nuk është më vetëm një problem i Maqedonisë së Veriut, por “është një koalicion i rrezikshëm mes trashëgimisë së represionit jugosllav në Shkup dhe Prishtinë dhe klasës politike shqiptare servile që ka zgjedhur heshtjen në emër të interesave personale”.

    “Shqiptarët nuk mund të jenë më spektatorë të këtij solidariteti të heshtur kundër vetes”, ka shkruar ai.

    Ndërsa deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj në reagimin e tij ka kritikuar Kurtin për mosreagim.

    “Ndryshimi” që e solli Albin Kurti në Maqedoni të Veriut po ju bën të fala me klithmat shurdhuese:
    “Dhoma gazi për shqiptarë”.
    “Shqiptari i mirë është vetëm shqiptari i vdekur
    “Maqedoni e pastër (pa shqiptarë”.
    “Shqiptarët e mallkuar ta dijnë se emri Maqedoni nuk zhduket”. Asnjë fjalë, asnjë reagim nga Kurti, kumbara i koalicionit qeverisës në Maqedoni të Veriut”, ka shkruar Haradinaj.

    Reagimet nga Shqipëria

    Zëshëm ndaj thirrjeve raciste ndaj shqiptarëve kanë reaguar nga Shqipëria, duke i quajtur të papranueshme.

    Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar në lidhje me thirrjet që ajo i konsideroi ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve në një ndeshje basketbolli mbrëmë në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut.

    “Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit”.

    “Vlerësoj reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik”, u shpreh Spiropali.

    Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka shprehur shqetësimin pas thirrjeve raciste që u dëgjuan gjatë një ndeshjeje basketbolli në Kumanovë mbrëmë.

    Ai theksoi se gjuha e urrejtjes nuk ka vend as në sport, as në shoqëri, duke e cilësuar incidentin në Kumanovë si një alarm për të gjithë.

    Meidani shtoi se po monitoron me vëmendje reagimet e institucioneve dhe kërkoi që autoritetet maqedonase të reagojnë me qartësi dhe përgjegjësi.

    “Bashkëjetesa kërkon angazhim të përditshëm, respekt për rregullat e lojës dhe për njëri-tjetrin — jo vetëm në tribuna, por kudo.

    “Po ndjek me vëmendje reagimet institucionale dhe pres që autoritetet më të larta të Maqedonisë së Veriut të flasin qartë, fort dhe me përgjegjësi”, tha ai.

    Ka reaguar edhe ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili ka thënë se këto thirrje nuk janë vetëm fyese, por përbëjnë një kërcënim për bashkëjetesën demokratike dhe barazisë mes maqedonasve dhe shqiptarëve.

    Bushati shkroi edhe për heshtjen e krerëve të lartë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

    “Ajo që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit në #Kumanovë ishte një manifestim i qartë i urrejtjes etnike. Thirrjet “Shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur” dhe “Dhoma gazi për shqiptarët” nuk janë vetëm fyese, por përbëjnë një kërcënim serioz për bashkëjetesën demokratike dhe barazinë mes maqedonasve dhe shqiptarëve si dy komunitete shtetndërtuese në Maqedoninë e Veriut. Për më tepër, heshtja e zyrtarëve të lartë që ishin dëshmitarë të kësaj “galerie turpi” është e papranueshme. Dëshmi e faktit se nuk kanë nxjerrë mësimet e duhura nga ngjarjet e hidhura të së kaluarës”, ka shkruar ai.

    Reagimet nga Maqedonia e Veriut

    Ministria e Brendshme në Maqedoninë e Veriut njoftoi se ka filluar masat operative për identifikimin e personave që dyshohet se kanë bërë thirrje raciste anti-shqiptare nga tribunat e sallës sportive në Kumanovë, gjatë kohës sa po zhvillohej ndeshja e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.

    Zëvendëskryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, dënoi gjuhën fyese ndaj shqiptarëve në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë.

    Fjalët fyese dhe këngët që nxisin urrejtje, nuk kanë vend në shtetin dhe shoqërinë tonë”, tha ai duke shtuar se këto veprime përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj bashkëjetesës dhe barazisë në Maqedoninë e Veriut.

    Ka reaguar edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme në Maqedoni të Veriut, Astrit Iseni.

    “Këto provokime vijnë nga grupe të vogla, por të zhurmshme. Ne i dënojmë fuqishëm dhe kërkojmë që të mos relativizohen. Nismëtarët e këtij provokimi do të përgjigjen”, theksoi Iseni.

    Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, po ashtu dënoi gjuhën e urrejtjes.

    “Ajo që ndodhi në Kumanovë nuk është vetëm një moment turpi për sportin, por një goditje me grusht ndaj idesë më themelore të qytetarisë: që ne jemi të ndryshëm, por të barabartë. Fyerjet raciste nuk janë “shprehje spontane të pakënaqësisë”, por tërbime primitive që kërkojnë vend në një kohë që nuk u përket”, tha ai.

    VMRO-DPMNE-ja i cilësoi thirrjet si të përgatitura nga struktura kriminale që duan të mbulojnë veprimtarinë e tyre me urrejtje dhe përçarje.

    “Dënojmë çdo sulm nacionalist dhe gjuhë të urrejtjes, pa marrë parasysh se nga vijnë. Kjo i shkon për shtat vetëm rrymave dhe partive politike që me vite mbjellin politika të urrejtjes ndaj njëri tjetrit”, shtoi Brane Petrushevski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

    Veprimet i dënoi edhe opozita.

    “Dje në Kumanovë, në një ndeshje basketbolli, në prezencë të Kryeministrit Mickovski, përfaqësues të VLEN-it, ministrit të punëve të Brendshme Toshkovski e të tjerë pushtetarë, neve, shqiptarëve na është sharë nëna, familja, origjina, fisi dhe fara në kor nga tifozë maqedonas”, tha Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

    BDI kërkon dorëheqjen e dy zëvendësministrave nga radhët e VLEN, Astrit Iseni dhe Safije Sadiki Shaini.

    “BDI kërkon përgjegjësi politike për skandalin në Kumanovë: Të dorëhiqen Astrit Iseni dhe Safije Sadiki Shaini. Njëkohësisht, kërkojmë që të gjithë përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri që janë në pozita kyçe ekzekutive, të distancohen publikisht nga ky akt i papranueshëm dhe ta ngrenë këtë çështje në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë”, tha ndër të tjera BDI në reagimin e saj.

    Artikuj të ngjashëm

    Kapet i dyshuari në Mitrovicë për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz

    Digjet një stallë në Saradran të Istogut, lëndohen disa persona

    Më i madhi në 50 vjet/ Zjarr katastrofik në Francë, viktima dhe evakuime masive

    Të Fundit

    Kapet i dyshuari në Mitrovicë për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz

    Digjet një stallë në Saradran të Istogut, lëndohen disa persona

    Më i madhi në 50 vjet/ Zjarr katastrofik në Francë, viktima dhe evakuime masive

    Kroacia prezanton armën e re teknologjike dronin FPV

    Identifikohet i dyshuari, rreshteri në paraburgim pas të shtënave në bazën ushtarake

    Gazeta Demos është medium i pavarur informativ, që ka për qëllim informimin e shpejtë dhe të paanshëm, portal që synon të plasojë të dhëna objektive për audiencën e gjerë, duke pasur për kryefjalë lajmin si kategori kryesore. Gazeta Demos ka për mision që të përçojë te lexuesi informatat më të reja të zhvillimeve të fundit brenda dhe jashtë vendit, me etikë profesionale dhe me qasje pasionale. Gazeta Demos funksionon edhe si medium intermedial, e cila në tregun medial po hyn, jo përmes politikave redaksionale ditore, por atyre konstante nacionale, duke e kultivuar edhe shijen e lexuesit. Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

    KONTAKT & MARKETING

    Rruga "Uran Ajeti", 68 Prishtinë
    info@gazetademos.com
    marketing@gazetademos.com
    Tel: +383 48 579 555

    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • Stili/Jeta
    • OP/ED
    • Teknologji
    • Video
    Facebook Instagram YouTube
    Te gjitha te drejtat e rezervuara © GazetaDemos - 2025

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.