Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës nuk ka arritur të konstituohet as në përpjekjen e fundit para se të mbyllet afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Kjo ishte përpjekja e 54-të për konstituim që nga 15 qershori, kur është mbajtur seanca e parë.
Edhe gati një orë pasi përfundoi përpjekja e 54-të për konstituimin e Kuvendit deputetët e ish-opozitës po mbajnë fjalime brenda në Kuvend.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka akuzuar kreun e LVV-së, Albin Kurti për ‘tentativë për shkatërrim të mbikëqyrjes parlamentare”.
“Albin, jo që i ke ngrënë të gjitha qershitë, por i ke ngrënë edhe bërthamat”, u shpreh Musliu ndër të tjera.
Sipas saj, bllokimi i Kuvendit është ‘sulm i qëllimshëm ndaj themeleve të demokracisë dhe sulm i organizuar me qëllim shkatërrimin e shtetit”.
“Turpi dhe drejtësia kanë për të rënë mbi këto kukulla politike që e vënë Kosovës në një peshore me Albin Kurtin, i cili donte të mbetet kryeministër”, tha ndër të tjera Musliu.