Policia e Kosovës ka dalë me njoftim për përplasjen mes një qytetari dhe deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, dje në një lokal në Prishtinë.
Sipas një videoje të publikuar dje, qytetari i ka çuar deputetes Pacolli për t’ia paguar faturën që kishte pirë në atë restaurant dhe i ka thënë deputetes Pacolli se është “hajne” dhe se duhet t’i vijë marre që “po e vjedh Kosovën”.
Deputetja Pacolli shihet në pamje se ia hedh faturën dhe ngritet në këmbë duke i thënë se “nuk i frikësohet”.
Policia tha se ky qytetar është shoqëruar për intervistim në polici pasi që ai “ka kanosur dy ankuesit”, duke iu referuar deputetes Pacolli dhe personit me të cilin ishte në lokal.
“KANOSJE -Rr. Migjeni, Prishtinë 25.07.2025 – 13:00. Është shoqëruar për intervistim i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka kanosur dy ankuesit (një femër dhe një mashkull) kosovarë derisa ishin duke qëndruar në një restorant. Në konsultim me prokurorin i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.