Prokuroria Speciale, Inspektorati i Policisë dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë e kanë arrestuar të enjten eprorin e Policisë së Kosovës Bojan Jevtiq, i cili dyshohet për spiunazh. I njëjti kishte shërbyer si zëvendëskomandant i kufirit te “Dheu i Bardhë”.
nënkolonelin policor, Refki Morina, njohësin e sigurisë, Adnan Sogojeva dhe ekspertin e sigurisë, Bedri Elezi folën rreth kësaj teme.
“Në tërësi kemi të bëjmë me spiunazhin si vepër penale, dhe hynë në kapitullin e veprave penale kundër sigurisë së shtetit. Dje në orët e hershme të mëngjesit, Prokuroria Speciale, Inspektorati i Policisë dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, por edhe Policia e Kosovës kanë marrë një aksion të përbashkët, por ky operacion iu ka paraprirë muaj përpara, që ta përcjellin togerin Bojan Jevtiq”, u shpreh Morina.
Ai thotë se në vendin ku Jevtiq kishte shërbyer si zëvendëskomandant, tha se ka qenë pikë e ndjeshme pasi lidh Kosovën me shtetin serb, dhe me shqiptarët që jetojnë në Serbi.
Nga ana tjetër, Sogojeva tha se arrestimi i Jevtiqit, është rasti i katërt ose pestë për spiunazh dhe bashkëpunim me BIA-n serbe.
“Unë e shoh si cenim serioz të sigurisë kombëtare, por njëkohësisht është për duartrokitje masat që kanë marrë institucionet e Kosovës”, tha tutje njohësi i sigurisë.
Ndërsa Elezi se Policia e Kosovës është e prekur, derisa shton se në kuadër të policisë po veprojnë njerëz në shërbim sekret serb.
“Këtë duhet ta trajtojmë si dëshmi të qartë se Policia e Kosovës është goditur nga lufta hibride, përfshirë çështjet më të ndjeshme, siç është spiunazhi”, thotë Elezi në KlanKosova.