Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka reaguar në rrjete sociale lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, duke ironizuar qëndrimet dhe veprimet e partive tjera që sipas tij po bllokojnë procesin e zgjedhjes së kryetares së Kuvendit.
Përmes një skenari të paraqitur në formë dialogu, Basha ilustron situatën në Kuvend, ku shumica dhe opozita duken të ngujuara në qëndrime të kundërta pa ofruar zgjidhje konkrete.
“Alibini: Po shkojmë me praktikën e deritanishme, me votim të hapur! Opozita: S’dojmë me votu!”, ka shkruar Basha.
Sipas tij, të gjitha përpjekjet për të çuar përpara procesin janë refuzuar nga opozita, përfshirë propozimin për votim në pako dhe propozimin për marrëveshje politike.
“Alibini: Ani, a po doni i votojmë në pako, Kryetaren bashkë me nënkryetarët? Opozita: Jo, s’dojmë!”
Deputeti ironizon edhe mënyrën se si opozita, sipas tij vazhdimisht nuk pranon asnjë formë të votimit, madje edhe kur shumica i ofron opsione alternative si votimi i fshehtë.
“Alibini: Mirë, a e provojmë me votim të fshehtë? Opozita: Jo, s’dojmë!”, shkruan Basha.
Ndërsa përkundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që sqarojnë procedurat e seancës konstituive, Basha thekson se opozita vazhdon të refuzojë pjesëmarrjen duke dhënë arsye që ai i konsideron të pabazuara.
“Alibini: Por Gjykata Kushtetuese në paragrafin 178 po thotë, Mocionet Procedurale NUK vlejnë për Seancën Konstituive! Opozita: Nuk po dojmë!”
Ai përmbyll postimin me një thirrje ironike, duke pyetur publikun në mënyrë retorike: “A mundet dikush me na tregu, çka po do opozita?”
Kuvendi i Kosovës ende nuk ka arritur të konstituohet pas disa përpjekjeve të dështuara për shkak të mungesës së konsensusit mes partive politike.