Italia po përballet prej më shumë se një jave me një valë të rrezikshme të të nxehtit, e cila deri më tani ka shkaktuar të paktën 18 viktima në mbarë vendin. Shumica e të vdekurve janë punonjës që kryenin punë fizike në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Temperaturat ekstreme kanë shkaktuar stres të madh në spitalet italiane, ku janë shtruar kryesisht të moshuar që vuajnë nga goditjet e të nxehtit dhe dehidratimi.
Meteorologët paralajmërojnë se fenomenet e tilla të motit nuk janë përkohëse, por pjesë e një realiteti të ri të shkaktuar nga ndryshimet klimatike.
Ekspertët theksojnë se qytete si Roma dhe Parisi tashmë përjetojnë kushte klimatike të ngjashme me ato të Tunizisë në verë, duke kërkuar masa urgjente dhe të qëndrueshme për mbrojtjen e qytetarëve.
Për të parandaluar viktima të tjera, autoritetet kanë zbatuar masa emergjente në rajone të ndryshme, duke ndaluar punën në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta të ditës. Megjithatë, në sektorin publik mungojnë kontrollet dhe ndërgjegjësimi i plotë.
Tragjikisht, vetëm dje në Frosinone humbën jetën dy punonjës nga goditjet e nxehtësisë gjatë kryerjes së detyrave.
Situata është alarmante edhe në burgje dhe sektorin industrial, ku temperaturat kanë kaluar 40 gradë. Në industrinë metalurgjike, më shumë se 20 punëtorë u detyruan të largohen për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Parashikimet e motit tregojnë një lehtësim të temperaturave nga nesër, por valët e nxehtësisë pritet të rikthehen gjatë gjithë verës.