Një lajm i rëndë ka goditur botën e futbollit. Sulmuesi i Liverpoolit, Diogo Jota, ka ndërruar jetë në moshën 28-vjeçare pas një aksidenti të rëndë trafiku në Spanjë.
Lajmin e hidhur e ka konfirmuar edhe vetë klubi anglez përmes një njoftimi zyrtar, ku është bërë e ditur se në aksident ka humbur jetën edhe vëllai i Jotës, Andre, i cili po ashtu ishte futbollist.
“Klubi është informuar se 28-vjeçari ka ndërruar jetë pas një aksidenti rrugor në Spanjë, së bashku me vëllain e tij, Andre. Liverpooli nuk do të bëjë asnjë koment të mëtejmë në këtë kohë dhe kërkon që privatësia e familjes, miqve, bashkëlojtarëve dhe stafit të Diogos dhe Andre të respektohet, ndërsa ata përpiqen të përballojnë një humbje të paimagjinueshme. Ne do të vazhdojmë t’ua ofrojmë atyre mbështetjen e plotë”, thuhet në njoftimin e klubit.
Lajmi ka shkaktuar tronditje në gjithë komunitetin sportiv. Klube të ndryshme dhe figura të futbollit kanë shprehur ngushëllime dhe solidaritet me Liverpoolin dhe familjen Jota.
Ndër të parët që ka reaguar ka qenë klubi rival, Manchester United:
“Ngushëllimet tona më të thella janë me të dashurit e Diogo Jotes dhe vëllait të tij, Andres, dhe me të gjithë ata që janë të lidhur me Liverpool FC pas lajmit të hidhur të sotëm”, thuhet në reagim.