Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim komandantin në largim të Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it amerikan (KFOR 34), kolonelin Peter Helzer nga Garda Kombëtare e Oregonit, si dhe komandantin e ri të kësaj komande (KFOR 35), kolonelin Jonathan Lloyd nga Garda Kombëtare e Louisianës.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani e falënderoi kolonelin Helzer për shërbimin dhe përkushtimin e tij gjatë mandatit në Kosovë, duke vlerësuar lart kontributin e tij në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe në rajon.
Si shenjë respekti dhe falënderimi, Osmani i ndau atij një Mirënjohje Presidenciale për angazhimin e tij të çmuar.
Në vijim, ajo i uroi mirëseardhje kolonelit Jonathan Lloyd, duke e siguruar për mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës në përmbushjen e mandatit të tij dhe misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO.
Presidentja Osmani theksoi mirënjohjen e thellë në emër të popullit të Kosovës për mbi 26 vjet të pranisë së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në vend si pjesë e misionit të KFOR-it. Ajo theksoi se kjo prani ka qenë jetike për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe në mbarë rajonin.
Osmani ritheksoi se Kosova do të mbetet gjithmonë mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e palëkundur dhe për partneritetin strategjik që vazhdon të forcojë themelet e paqes dhe sigurisë në rajon.