Në përplasjen që patën sot në vendosjen e një gurëthemeli të një çerdheje në Bardhosh të Prishtinës, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe i pari i Prishtinës, Përparim Rama, tani është përfshirë edhe Ministri në detyrë, deputeti i VV-së, Hekuran Murati.
Rama sot iu drejtuar Kurtit me kërkesën për zhbllokimin e buxhetit të Komunës, e për këtë Murati ka thënë se përshkak që opozita po e bllokon konstituimin e Kuvendit, ka mbetur pezull edhe buxheti i tri komunave.
Sipas tij, ankesa e kryetarit Rama duhet të jetë në adresën e LDK-së, e cila siç thotë ai s’po e voton konstituimin e Kuvendit.
“Megjithatë, mos-hyrja në fuqi e Buxhetit të Komunës së Prishtinës, nuk e ka ndalur Përparim Ramën dhe LDK-në që të nënshkruajnë kontrata milionëshe e të shpallin tenderë milionësh pa kurrfarë mbulese në stilin “aksham-pazar”, duke shkelur kështu Ligjin për Financa Publike dhe atë të Prokurimit Publik. Për këto shkelje, do të duhej qëmoti të ishte aktivizuar prokuroria, por deri më tani nuk kemi parë asnjë veprim nga ana e tyre”, ka shkruar mes tjerash Murati në Facebook.