Barcelona është gati t’i japë Lamine Yamal-it një nga përgjegjësitë më të mëdha që një futbollist i ri mund të marrë – fanellën me numrin 10, një simbol i historisë së lavdishme të klubit katalanas.
Sipas “Mundo Deportivo”, vendimi është marrë dhe zyrtarizimi do të bëhet më 13 korrik, ditën kur talenti i jashtëzakonshëm katalanas feston 18-vjetorin e lindjes. Në atë datë, ai do të pozojë për herë të parë me fanellën legjendare, përpara familjes së tij dhe kamerave të klubit, në prag të fillimit të sezonit të ri.
Me largimin e afërt të Ansu Fati-t, i cili pritet të transferohet në huazim te Monaco, rruga është hapur që Yamal të braktisë numrin 19 dhe të marrë në pronësi një nga numrat më të shenjtë në botën e futbollit – atë që më parë është mbajtur nga ikonat si Diego Maradona, Ronaldinho dhe Lionel Messi.
Përkundër miqësisë së tij me Ansu Fatin, Yamal asnjëherë nuk ka kërkuar këtë numër dhe ka treguar respekt maksimal për bashkëlojtarin, duke shmangur çdo tentativë për të tërhequr vëmendjen. Megjithatë, situata ka ndryshuar dhe klubi ka vendosur t’i besojë pikërisht atij për ta mbajtur gjallë trashëgiminë që përfaqëson numri 10.
Fanella e re e Yamal pritet të dalë në shitje më 2 korrik dhe klubi pret që ajo të thyejë rekorde të reja të shitjes – si brenda Spanjës, ashtu edhe në tregun ndërkombëtar. Përveç simbolikës sportive, zgjedhja e numrit 10 nga Yamal pritet të sjellë përfitime të mëdha komerciale për Barcelonën.