Nëse keni nostalgji për vitet e fillim-shekullit dhe emocionet që sillte seriali brazilian “Kloni”, atëherë lajmi i fundit nga skena muzikore shqiptare do t’ju gëzojë. Pas më shumë se dy dekadash nga debutimi i serialit që magjepsi botën, “Zhade” po rikthehet, këtë herë jo në ekran, por në një klip muzikor me Nora Istrefin në qendër.
Projekti më i ri muzikor i këngëtares së njohur titullohet pikërisht “Zhade”, dhe vjen si bashkëpunim me artistin Bejta. Nora, e cila di të sjellë gjithmonë risi vizuale dhe ritmike, këtë herë ka përqafuar frymën orientale të personazhit të famshëm, duke u shfaqur në klip me veshje dhe lëvizje që përçojnë thellë atmosferën e Lindjes së Mesme.
Ky rikthim simbolik i Zhadës, tashmë nëpërmjet një kënge pritet të ndezë rrjetet sociale, sidomos tek ata që e kujtojnë me mall dashurinë mes “Zhadës” dhe “Lukasit”. Por tani, është Nora ajo që e sjell këtë personazh në një realitet të ri artistik dhe muzikor.
Për të gjithë të interesuarit, pritja nuk do të zgjasë shumë. Kënga dhe klipi do të publikohen të shtunë në YouTube, ku me siguri do të marrin reagime të shumta nga publiku. Nostalgjia dhe moderniteti, bashkë në një projekt që premton të lërë gjurmë.